TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e rreth 18.5 milionë lekë të reja, 940 mijë dollarë amerikanë të gjendura në llogari bankare dhe bono thesari, si edhe dy automjetet Daimler Chrysler dhe Voksvagen Pasat, të regjistruara në emër të shtetasit Kastriot Ismailaj, administrator i shoqërisë “Adriatic Development Corporation LTD”, si edhe familjarëve të tij, pasi ky shtetas është duke u hetuar në kuadër të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”.

Ndaj këtij shtetasi, i cili aktualisht është në masën e sigurisë “arrest në burg” në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja tё rёnda, tё kryer nё bashkёpunim” dhe “pastrimit tё produkteve tё veprёs penale”, Prokuroria për Krime të Rënda rreth një muaj më parë ka kërkuar konfiskimin edhe të rreth 3.4 milionë dollarëve.
Pra, deri në këtë fazë të hetimit, në bazë të dy kërkesave dërguar gjykatës, e para në fund të muajit Prill 2015 dhe e dyta në datë 17.06.2015, Prokuroria për Krime të Rënda, në cilësinë e strukturës kompetente për kryerjen e hetimeve në kuadër të ligjit “Antimafia”, kërkon në total konfiskimin e rreth 4.3 milionë dollarëve, 450 mijë eurove dhe dy automjeteve.

Shtetasi Kastriot Ismailaj ka qenë administrator i disa kompanive, një prej të cilave ka pasur si aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Nga një hetim që po zhvillohet nga Prokuroria e Tiranës, ai dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja tё rёnda, tё kryer nё bashkёpunim” dhe “pastrimit tё produkteve tё veprёs penale” në vlerë mbi 5 milion euro.

Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të hetimit të këtij proçedimi penal ka rezultuar se shtetasi Kastriot Ismailaj ёshtё ortak apo administrator i disa shoqёrive tregtare tё regjistruara nё Shqipёri, tё cilat pёrgjithёsisht nuk kanё aktivitet tregtar por nё llogaritё e kёtyre shoqёrive janё kryer transaksione finaciare tё cilat shkojnё nё disa milionë Euro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb