SHBA

Nuk ka qetësi për Cristiano Ronaldon. Policia e Las Vegas ka urdhëruar futbollistin e njohur t’i nënshtrohet testit të ADN-së. Qëllimi i këtij testi është të krahasojë rezultatet e testit me gjurmët e ADN-së së gjetur në fustanin e Kathryn Mayorga, e cila akuzon yllin portugez për dhunë seksuale.

Lajmi bëhet i ditur nga Wall Street Journal, duke cituar burime nga policia. Kërkesa shkruan e përditshmja amerikane, u dërgua autoriteteve gjyqësore italiane. Kujtojmë që në muajin shtator revista gjermane Der Spiegel publikoi lajmin se një femër në Las Vegas akuzonte futbollistin portugez për përdhunim.

Kathryn Mayorga pretendon që është përdhunuar 9 vite më parë në një hotel, gjë kjo që është mohuar kategorikisht nga Ronaldo. Sipas akuzës ekziston një dokument i marrëveshjes së fshehtë të nënshkruar nga dy palët në vitin 2010, ku tregon se vajza amerikane kishte premtuar se do të heshtte për atë që ndodhi atë natë qershori pas pagesës prej 375 mijë dollarësh.

Në mesin e provave të policisë së Las Vegasit ai kryesori është fustani, që 34-vjeçarja kishte veshur natën që pretendon se është përdhunuar nga futbollisti i Juventus.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb