Një emigrant nga Venezuela u dënua të mërkurën për vrasjen e Laken Riley-it, studente e infermierisë në Xhorxhia, vrasja e së cilës u bë pjesë e retorikës së presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërsa ai sulmonte emigracionin e paligjshëm gjatë fushatës.

Jose Ibarra, 26 vjeç, i cili ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, u shpall fajtor për vrasje dhe akuza të tjera nga gjyqtari Patrick Haggard në Gjykatën e Lartë të Qarkut Athens-Clarke. Ndërsa lexonte vendimin me zë të lartë, anëtarët e familjes dhe miqtë e viktimës Riley u dëgjuan të qanin, ndërsa i akuzuari Ibarra qëndroi pa reaguar. Gjykatësi Haggard dëgjoi provat dhe dha vendimin pasi Ibarra hoqi dorë nga e drejta e tij për një gjyq me juri.

Presidenti i zgjedhur Trump dhe republikanë të tjerë përmendën shpesh vrasjen e studentes Riley, duke pretenduar se emigrantët që kalojnë ilegalisht kufirin jugor, ishin përgjegjës për një valë krimesh të dhunshme.

Prokurorët thanë se Ibarra e hasi viktimën Riley, 22 vjeçe, në një shteg përmes pyllit, ndërsa ajo ishte duke bërë vrap më 22 shkurt dhe e vrau pasi ajo i rezistoi përpjekjeve të tij për ta përdhunuar.

Në deklaratën e saj përmbyllëse më herët të mërkurën, prokurorja Sheila Ross i quajti provat kundër Jose Ibarrës “të jashtëzakonshme”, përfshirë ADN-në nën thonjtë e viktimës, që autoritetet e lidhën me të pandehurin, gërvishtjet në trupin e Ibarrës dhe pamjet filmike të një burri, që përputhet me përshkrimin e Ibarrës, duke hedhur një xhaketë të gjakosur në një kazan mbeturinash menjëherë pas vrasjes. Avokatët mbrojtës argumentuan se provat ishin rrethanore dhe nuk mund të përjashtonin mundësinë e një sulmuesi tjetër.

Rasti i studentes Riley u bë temë kombëtare në mars gjatë fjalimit të Presidentit Joe Biden për gjendjen e vendit, kur ligjvënësja Marjorie Taylor Greene ndërpreu fjalimin e tij për të kërkuar që ai “të thoshte emrin e saj”.

Presidenti Biden doli nga fjala e përgatitur për të përmendur zonjën Riley, të cilën ai e përshkroi si një grua të pafajshme të vrarë nga një “ilegal”. Republikanët e kritikuan atë, pasi u duk se e shqiptoi gabim emrin e viktimës Riley, ndërsa Presidenti Biden më vonë kërkoi falje për përdorimin e fjalës “ilegal” për t’iu referuar një personi.

Shba2
Shba2

Presidenti Biden, në atë kohë edhe kandidati demokrat për president, u tërhoq nga gara në korrik dhe u zëvendësua nga Nënpresidentja Kamala Harris, e cila humbi zgjedhjet në fillim të këtij muaji përballë zotit Trump. Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar të bëjë deportime masive të emigrantëve, pasi të bëjë betimin për marrjen e detyrës në janar./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb