Rusia ka dërguar mjete të tjera ushtarake në Serbi, të cilat u prezantuan një ditë më parë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Ky furnizim me automjete ushtarake po shihet si rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë Ballkanin.

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse, ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit.

Ramadani, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, armatosja e Serbisë paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës.

Më tej, ai ka pohuar se Serbia është kthyer në Rusinë e vogël dhe kjo sipas tij, është shqetësim për gjithë rajonin.

Ai ka thënë se, duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e vogël.

Postimi i plotë i Ramadanit pa ndërhyrje:

Serbia u kthye në Rusinë e Vogël dhe kjo është shqetësim për gjithë rajonin.

Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvzije aferat korruptive janë enorme) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës.

Duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël.

Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale.

Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s.

Anêtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: