Real Madrid ka humbur shkëlqimin, kjo mbi të gjitha pas turpërimit të pësuar në derbi përballë Atletico-s. Ajo skuadër e cila fitojë gjithçka vetëm një sezon më parë tashmë është një kujtim i largët. Ajo çka alarmon më shumë në shtëpinë e Real Madrid nuk është terreni që po humbasin karshi Barcelonës, por forma e Cristiano Ronaldo-s. Ylli portugez po “zbehet” dita ditës duke humbur shumë nga ai epitet “makineri golash”. Në dhjetë ndeshjet e fundit CR7 ka shënuar vetëm 4 gola, shifra që tregojnë qartë momentin aspak pozitiv që po kalon “Topi i Artë” në fuqi. Ndarja me Irina Shayk, festa e 30-vjetorit e ardhur pas humbjes në derbi, dhe tashmë mungesa e golave kanë bërë që Ronaldo të shqetësojë me paraqitjet e tij drejtuesit e skuadrës. E përditshmja spanjolle AS e hapi faqen e saj të parë ditën e sotme me titull: “Alarm Ronaldo”, duke iu referuar pikërisht këtyre shifrave që tregojnë rendimentin e tij në rënie. Në vigjilje të Champions League të gjithë tifozët madrilen presin një “ringjallje” të Ronaldos, në të kundërt objektivi për të mbrojtur titullin kampion komplikohet ndjeshëm.

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb