Nëse flasim për mjekë sportivë në Shqipëri, patjetër që personalitet i kësaj fushe është Lluka Heqimi. Anëtar i organizatës botërore kundër antidopingut, si dhe mjeku ikonë për mbi dy dekada i Kombëtares shqiptare, i kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, foli për rastet më të fundit, ku përveç peshëngritëses Romela Begaj, pozitiv në testin antidoping doli edhe futbollisti i Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Për një kampionat si ai i yni ku nuk kryhet asnjë kontroll, Heqimi mendon se shteti shqiptar duhet të ndërhyjë për të dhënë një grant enkas për antidopingun. “Jashanica është viktimë, nuk ka marrë preparat për të ndryshuar gjendjen e tij sportive. Dopingu në Superiore? Nuk kemi ne atë nivel, sa ta dallojmë një futbollist dhe të themi se shkëlqen nga doping”, ka thënë ndër të tjera mjeku i njohur.
Zoti Heqimi, si për koincidencë, vjen një moment kur konfirmohen pozitivë jo vetëm sportistë që përfaqësojnë shtangën, por edhe lojtarë që janë pjesë e klubeve shqiptare të futbollit dhe kanë luajtur në grupet e një kompeticioni si Liga e Europës…

Shikoni, kjo është një situatë që vjen prej mungesës së seriozitetit. Sa herë që ndodhin, sportistët mbrohen me të gjitha format dhe kujtojnë se janë të pastër pas atyre gjërave që bëjnë. Kjo punë kështu është sepse aparaturat më të sofistikuara e kapin situatën shpejt, ndërsa ka edhe raste kur kompjuteri del i djallëzuar dhe shpëtojnë. Nëse flasim për rastet konkrete, më vjen keq për Romela Begajn sepse edhe kampioni i dytë, pra, testi B, ishte i sigurt që do të dilte pozitiv. Këtë e kam paralajmëruar sepse bëhej fjalë për një preparat sintetik, që nuk e prodhon trupi, por vetëm injektohet nga jashtë. Në këto kushte, kur testi A del pozitiv, është i detyruar që edhe B të dalë.

Cili është komenti juaj për rastin e mbrojtësit të Skënderbeut, Bajram Jashanica, i cili ka përdorur substancën prednisolut?
U njoha me rastin dhe më vjen keq, pasi bëhet fjalë për një mbrojtës shumë të mirë, që ka marrë një preparat për t’u mjekuar. Nuk e besoj që ky rast ta bëjë fajtor futbollistin, më shumë ai është një viktimë. Substanca që ka marrë, nuk është për të ndryshuar gjendjen e tij sportive, por një mjekim që në këtë histori i ka munguar dokumenti për ta sqaruar nëse është i ndaluar ose jo. Nëse do të deklarohej para kryerjes së testit, atëherë lojtari do të ishte i pafajshëm. Fati i tij i keq ishte se i ra edhe shorti për të qenë ditën e gabuar. Megjithatë, këto janë raste që ndodhin dhe mesa mbaj mend, kur kam qenë mjek i ekipit Kombëtar, në një ndeshje shorti, ka përcaktuar për kontroll antidopingu portierin rezervë, Arjan Beqaj. Pra, janë disa gjëra që njihen dhe ky është një rast vërtet për keqardhje, pasi mund të eliminohej thjesht.

Pse jemi kaq të ekspozuar për raste të tilla?
Shikoni, në përgjithësi futbolli shqiptar nuk kontrollohet për antidoping. Jemi të përjashtuar nga testet, duke mos ndjekur shembullin e botës. Në kampionatin kombëtar nuk ka fare kontrolle dhe kjo ka disa arsye, për më tepër që janë edhe të kushtueshme. E kundërta ndodh në kampionatet e tjera europiane, ku kontrolli është i lartë.

Është thjesht çështje kostoje, që nuk mund të përballohet për të pasur një kontroll të situatës?
Jo, nuk e shikoj kështu. Unë mendoj se në grantin që shteti jep për sportin, një pjesë duhet ta japë për kontrollin antidoping. Nëse ndodh kështu, atëherë futemi në rrugën e duhur. Të paktën, të bëhen minimalisht 20 kontrolle në vit në kampionatin elitar. Shteti duhet të veprojë, pasi vetëm kështu krijohet një kusht i domosdoshëm.

Nëse bëhet aktualisht një kontroll i befasishëm i lojtarëve të Kategorisë Superiore, mendoni se mund të ketë edhe një skandal dopingu?
Jo, nuk e mendoj kështu. E them sinqerisht, jo për ta mbrojtur futbollin. Duke parë realitetin e kampionatit shqiptar, shikoj që niveli nuk është i tillë sa të ketë marrje në masë të substancave të ndaluara nga lojtarët në klube të ndryshme. Nuk kemi ne atë nivel sa të dallojmë një futbollist dhe të themi se shkëlqen nga dopingu. Mund të jem edhe gabim, por nga ajo që shikoj, nuk e besoj të kemi një parajsë dopingu.

Çfarë duhet të bëhet për të shmangur raste kaq të shpeshta me doping, sidomos në peshëngritje, mundje dhe së fundmi në futboll?
Mbi të gjitha, problemi i dopingut ka lidhje me njohjen. Pra, të gjithë flasin për doping, por nuk e njohin mirë këtë problem. Deri disa vite më parë është punuar më tepër për ndërgjegjësimin e sportistëve, të cilët kanë qenë koshientë për atë që ndodhte. Pra, ato medikamente që duhet të përdornin dhe nuk duhet të përdornin. Në kohët e sotme shikoj që kjo propagandë mungon totalisht dhe mendoj se është një katastrofë. Ka shumë pak njohje edhe nga publiku për këtë çështje.

Cili është mendimi juaj për profesionalizmin e stafeve mjekësore në klubet elitare?
Më bën përshtypje fakti se në një klub të organizuar si Skënderbeu nuk bën pjesë një prej mjekëve më të mirë sportivë që ka pasur Shqipëria. Bëhet fjalë për korçarin Isuf Saliçe, i cili i njeh mirë problemet. Nuk e di pse nuk është afruar në klub, edhe pse është në aktivitet të plotë. Di që ka një repart fizioterapie nga më të shkëlqyerit në republikë.

Jeni dakord me ato që thotë Romela Begaj, duke ia faturuar mungesës së mbështetjes nga shteti këtë histori?
Unë këtë situatë e lexoj si një tregim, që mund ta besoj me njëfarë dyshimi. E them këtë sepse e besoj në një përqindje të vogël, nëse kjo bëhet për t’i hequr kurorën Romelës dhe t’ia japin një tjetre. Në këtë histori nuk mendoj se ka diç- ka të rastësishme, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që mund të bëhen lloj-lloj marifetesh. Ka forma që mund të ruhesh, sidomos nëpërmjet shenjave të gishtave. Mirëpo, duke qenë se substanca që Romela ka përdorur, stanozolol, është preparat sintetik, dihet që edhe në testin B, pozitiv do të dilte. Preparati i Romelës është për të rritur performancën.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-mjeku-lluka-heqimi-jemi-ne-nje-katastrofe-me-dopingun-jashanica-eshte-viktime/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: