Një ngjarje vërtet të rrallë lajmërojnë dokumentet partiake të vitit 1950. Peti Shamblli, një funksionar i lartë komunist, njoftonte se në Dardhë të Korçës, ku ishin për pushime disa anëtarë partie, në fund të korrikut 1950 ishte zhvilluar një diskutim letrar, ku dy komunistë kishin vlerësuar maksimalisht Gjergj Fishtën, edhe pse e dinin se regjimi e kishte shpallur reaksionar dhe autor të ndaluar që në vitin 1945. Me një guxim të çuditshëm, ata e kishin vlerësuar Fishtën si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe se stili, radhitja, përmbajtja e vargjeve të tija janë të mrekullueshme, sidomos nga pikëpamja e hartit për t’u adhuruar”.

Ky diskutim, në fshatin piktoresk, atë fund korriku të 1950-ës, kishte vënë në alarm drejtuesit komunistë të Korçës, të cilët nisnin me urgjencë në Komitetin Qendror, shkresën e mëposhtme, duke kërkuar nga Komiteti Qendror që të forconin qëndrimin ndaj shkrimtarëve reaksionarë si në rastin e Fishtës, pasi një diskutim i tillë linte të kuptonte sipas Peti Shambllit, se komunistët nuk kishin përthithur si duhet orientimet e Enver Hoxhës për figurën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës.

Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin e dates 3 gusht, nënshkruar nga Peti Shamblli.

Parti e Punës së Shqipërisë

Komiteti i PPSH Rrethit Korçë

Nr. 22 prot.

Korçë më 3.VIII.950

Relacjon

Komitetit Qendror të P.P.SH.

“Drejtorisë Agitas –Prapag.”

Tiranë

Para pak ditësh informohemi nga disa A.P. (anëtarë partie) të cilët janë me pushim në Dardhë për një bisedim letrar që është bërë nga ana e Asan Petrelës A.P. dhe një shoku të tij, që të dy letrarë lidhur me shkrimtarin Gjerq Fishta. Ky bisedim është përgjithësuar dhe është bërë problem në shumë njerëz në Kampin e Dardhës.

Nga ana e Asan Petrelës dhe shokut të tij është mbrojtur teza se Gjerq Fishta është një nga Shkrimtarët më të mëdhenj dhe se stili, radhitja, përmbajtja e vargjeve të tija janë të mrekullueshme sidomos nga pikpamja e hartit për t’u adhuruar. Këta shokë nxirrnin si konkluzion se neve duhet t’i këndojmë dhe të marim mjaft nga këto vargje.

Këto pikpamje të këtyre shokve në lidhje me Gjerq Fishtën, i cili në realitet është një: shkrimtar reaksionar, janë luftuar me fanatizëm nga shokët tanë në kampin e dardhës. Të lartpërmendurve u është thënë se ju ini Anëtarë Partie dhe kini parasysh se ç’qëndrim ka mbajtur dhe si e ka përcaktuar Partija, shoku Enver dhe shoku Bedri Spahiu në Konferencën e Letrarëve lidhur me këta element duke ju thënë se ju po mbani qëndrim jo të Partisë. Ata asnjëherë nuk u bindën dhe nxjerrësi fakt se në një mbledhje zyrtare që është bërë në Institutin petagogjik shoku Mark Ndoja e ka ngritur në qiell Gjerq Fishtën dhe duke thënë më së fundi se ky opinion nuk ekziston vetëm në trurin tonë, por është opinion edhe i shumë shkrimtarëve të tjerë.

Ne duke u nisur nga këto fakte nxjerrim si konkluzion se në disa nga Shkrimtarët dhe letrarët tanë nuk është e qartë lufta që u bën Partia shkrimtarëve dhe letrarëve reaksionarë dhe armiq, ata nuk e kanë të qartë qëndrimin politiktë tyre dhe të shkrimeve të tyre dhe në shumë rastë vargjet i shëkojnë nga ana e paraqitjes artistike dhe rradhitjes së tyre pa marrë parasysh përmbajtjen positive dhe politike që kanë këto shkrime.

Për këtë ne mendojmë që këtë problem ta ketë parasysh komiteti qendror për tu zhvilluar një punë më e madhe, për edukimin dhe sqarimin e tyre politik për arsye se këto mendime dhe pikpamje ekzistojnë jo vetëm në shkrimtarët pa parti por edhe elementat që janë Antarë Partije siç është rasti i dy shokëve të nalt përmendur.

Jemi të mendimit se në rast se ka konstatime të tilla ay komitet, mendojmë që këto çështje të sqarohen edhe njëherë me letrarët dhe shkrimtarët tone dhe pastaj të shikohet nëpërmjet të kësaj pune të shëkohet elementi që mban një qëndrim të tillë armiqsor me qëllim.

P.Komitetin e P.P.SH.Rrethit

Peti Shamblli/Kujto.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: