Policia e Korçës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, ku gjyqtari Markeliano Kuqo u kërcënua me bombë.

Policia njofton se ka marrë një telefonatë, që në mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Kuqo, që ndodhej i parkuar në garazhin e gjykatës, ishte vendosur një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Uniformat blu dhe Njësia Antieksploziv raportojnë se kanë rrethuar menjëherë zonën, ku pas veprimeve të kryera nuk është gjetur sasi plasëse.

Informacion paraprak.
Më datë 15.10.2019, nga një telefonatë, jemi njoftuar se në lagjen nr.3, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në mjetin tip “Benz”, në pronësi të gjyqtarit M.K, i cili ndodhej i parkuar në garazhin e Gjykatës, ishte vendosur një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Menjëherë në vendngjarje, shkuan shërbimet policore të cilat bënë rrethimin dhe sigurimin e zonës. Pas verifikimit dhe veprimeve të kryera nga Njësia Antieksploziv, në mjet nuk u konstatua sasi plasëse.

Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili ka kryer njoftim të rremë në organet e rendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb