Licencimi i skuadrave për të marrë pjesë në kampionat kalon në disa faza, ku nevojitet plotësimi i disa kritereve, qoftë financiare, administrative, por edhe sportive, që kanë të bëjnë me stadiumin dhe terrenin ku do të zhvillohen ndeshjet.

Mirëpo, në javën e dytë të kampionatit elitar në vendin tonë, vihet re se 30% e stadiumeve nuk ofrojnë kushte minimale për nga cilësia e terrenit sportiv. Më konkretisht, skuadra e Lushnjës nuk e ka ende gati stadiumin dhe është në proces rikonstruksioni.

Skuadra e drejtuar nga Bano do të duhet që t’i zhvillojë takimet si pritëse në stadiume të tjera, derisa të përfundojnë punimet në impiantin e saj. Një tjetër stadium, i dalë “jashtë përdorimit” për shkak të problematikës së tapetit të barit, është ai i Flamurtarit. Prania e krimbave ka bërë që fusha të degradojë dhe, për pasojë, skuadra vlonjate nuk do të mund të ketë mundësi që të përdorë stadiumin e saj deri në momentin që do të gjendet zgjidhje për këtë.
stadiumi-flamurtari
Së fundmi, vetëm dje, është vënë re që edhe fusha e dhënë dhuratë për Laçin nga FSHF një vit më parë, ka degraduar si… moçal. Në rastin më fatlum për institucionin e futbollit, është papërgjegjshmëri e klubeve në mirëmbajtjen e terreneve.

Në rastin më të keq, është paaftësi e institucionit të futbollit për të ndërmarrë masat dhe shtrëngesat e nevojshme ndaj klubeve që duhet të garantojë kushtet e nevojshme për të luajtur një ndeshje, përndryshe do të vuajnë pasoja.
Stadiumi-Roza-Haxhiu-470x264
Kjo, për të garantuar disa standarde në kampionatin… elitar. Pa harruar faktin se jemi ende në fundin e stinës së nxehtë dhe nuk ka startuar vjeshta apo dimri me praninë e reshjeve të vazhdueshme, e cila në të ardhmen do ta rëndojë situatën e terreneve sportive që nuk kanë drenazhimin e duhur për të bërë kullimin e ujërave të tepërt nga fushat e lojës./Panoramasport.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: