TIRANE

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin Kombëtar të PD, deputetja Albana Vokshi u ndal gjerësisht tek arsimi, rinia dhe studentët. Vokshi u shpreh se mbështet studentët dhe nuk është kompleksuar nga thirrja e njohur e studentëve: jo politikë.

“Dua të them pa u kompleksuar nga askush: Unë jam me studentët! Unë sot jam studente! Të gjithë ne në këtë sallë jemi me studentët!”- tha ajo.

Albana Vokshi shprehu mirënjohje për studentët, për të cilët ajo tha se kanë marrë rolin e kujdestarëve të demokracisë.

“Si nënë e dy vajzave të mia të vogla, ju falenderoj që po u tregoni shqiptarëve se nuk pritet lëmoshë për të drejta themelore, por luftohet pa kompromis për to. Faleminderit për rikthimin e asaj çka kishte humbur prej vitesh në Shqipëri: shpresës! Ju jeni vetë shpresa!”- u shpreh Vokshi nga foltorja e Kuvendit të PD.

Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Arsimit, tha se PD i konsideron legjitime 8 kërkesat e studentëve, por vuri në dukje se thelbi dhe burimi i të keqes në arsim është ligji i Arsimit të Lartë, të cilin PD do të shfuqizojë. Vokshi tha se për qeverinë e Edi Ramës arsimi nuk ka qene kurrë prioritet dhe se në 5 vjet buxheti për arsimin ka pësuar ulejen më të madhe në këto 30 vjet, 28 % rënie, krahasuar me vitin 2013. Vokshi tha se nuk është rastësi që 133 mijë nxënës dhe studentë kanë braktisur shkollën dhe brenda një viti u mbyllën 228 shkolla.

“Ku mbyllet një shkollë, hapet një burg. Shqipëria zë vendin e parë në rajon për numrin e të burgosurve të moshës së re nga 16-35 vjeç”- u shpreh Vokshi, e cila akuzoi Ramën se e ardhmja që po ndërton Edi Rama është prapambetja, lënia në mjerim e sistemit arsimor të vendit, luksi për vete dhe projektet korruptive.

“Edi Rama do të shpenzojë 48 milionë euro për 2,2 kilometra zgjerim rruge dhe vetëm 30 milionë euro invetime për të gjitha shkollat e Shqipërisë”-tha Vokshi. Duke shprehur bindjen se “arsimi është shpëtimi ynë”, Albana Vokshi tha se për PD arsimi është prioritet kombëtar, ku duhet të financohet në vitet e para  5 % e PBB dhe brenda 10 viteve të arrihet standardi i vendeve të zhvilluara të BE.

“Misioni i PD është të jemi sërish partia e shqiptarëve alternativa e vetme e besueshme për zhvillim, prosperitet dhe integrim në Evropë”-tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb