TIRANE- Është bërë traditë tanimë që e enjtja të shoqërohet me batuta pikante gjatë seancës plenare. Edhe këtë herë fjalimet i kanë kaluar kufijtë e normales, duke shkuar në ballafaqime personale. Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte shkëmbimi i batutave mes kryeministrit Rama dhe deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Rama e ka krahasuar atë me Pamela Anderson te filmi ‘Baywatch’, referuar aksionit të saj në ndihmë të familjeve të përmbytura në jug të vendit. “Të krahasohesh me ju, është si të krahasosh postën elektronike me postën kur letrat shpërndaheshin me zogj. Kryetari juaj i ri shkoi në një fshat në kodër dhe në tokë të thatë, i veshur me çizme llastiku, urdhëronte qeverinë të shpallte gjendjen e emergjencës. Mund t’i jeni dukur ndonjërit si Pamela Anderson te filmi ‘Baywatch’”, tha Rama, referuar deputetes Vokshi. Ndërkohë, nga ana e saj, deputetja e PD-së i është përgjigjur duke i thënë se “është më mirë të jesh Pamela Anderson te ‘Baywatch’, që shpëton njerëzit nga mbytja, meqë kryeministrit i pëlqen Pamela, sesa Mr. Bean që të bën të qeshësh edhe me zor”. Menjëherë batutat mes dy politikanëve janë shpërndarë edhe në rrjetet sociale, duke shkaktuar jo pak jehonë. Albana Vokshi njihet si një ndër deputetet që shpeshherë ngre zërin për të drejtën e grave, si në parlament, ashtu edhe në panele ku është e ftuar. E natyrisht që një deklaratë e tillë do të ishte fyese jo vetëm për të, por për të gjitha femrat dhe deputetët e pranishëm në sallë.

E kontaktuar nga “Bluetooth”, ajo shprehet se të gjitha fjalimet e kryeministrit kanë këtë frymë. “Deklarata e tij ishte fyese jo vetëm për mua, por për të gjitha femrat, madje edhe për të gjithë deputetët që gjendeshin në sallën e Kuvendit. Më shumë sesa ajo që tha ditën e enjte, është te fryma që ai përcjell sa herë flet nga foltorja e Parlamentit. Është më shumë sesa personale. Të indinjuara duhet të ndihen sot të gjitha femrat për dhunën verbale që transmeton kryeministri Rama”, – rrëfen Vokshi. E pyetur nëse kishte ndër mend një padi nda Ramës, deputetja përgjigjet: “Të them të drejtën, nuk e kam menduar ta padis, madje as nuk ia vlen”, – mbyll kështu prononcimin e saj, deputetja e Partisë Demokratike.

(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: