Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka zhvilluar disa takime me gratë dhe vajzat në Kukës dhe Lezhë, ku u kërkoi t’i bashkohen protestës së 16-shkurtit. Gjatë takimit, Vokshi  komentoi edhe abuzimin ndaj 13-vjeçares në Kukës, të cilën e cilësoi si modelin që kërkon të përçojë kryeministri Edi Rama.

“Dhe këtë model e përçon kudo. Në Kavajë, kë vuri? Elvis Rroshin. Ju e dini se kë ka kryetarë në disa bashki të vendit, trafikantë ose përdhunues. Sepse ju e dini se kë ka futur brenda në Parlament. Prandaj kemi rastin të reagojmë”, tha Vokshi nga Kukësi.


Deputetja demokrate u ndal edhe te mbyllja e shkollave ndërsa u shpreh se kjo është një mënyrë që Rama të lërë në varfëri ekstreme qytetarët.


“Këtë Edi Rama e ka bërë sepse do që t’i lërë në varfëri të tejskajshme që kur të vijnë zgjedhjet ajo familja që nuk i jep dot fëmijëve për të ngrënë ta detyrojë që të shesë votën për pak lek. Do të çojë bandat kriminale.


Me paratë e krimit dhe të drogës ai do të mundohet që t’i blejë qytetarët dhe të ruajë karriken e pushtetit”, tha ajo.

Zonja Vokshi takoi gratë dhe vajzat edhe në Lezhë. Nga aty së bashku me deputeten Lindita Metaliaj kërkuan që gratë t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit, për të ardhmen e fëmijëve te tyre.

“Ti’ japim fund këtij regjimi diktatorial. Të marrim në dorë fatin tonë dhe të fëmijëve tanë. Të mos lejojmë që një dikator, një sundimtar të vendosë për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne kemi lindur këtu, duam të jetojmë këtu. Duam të rrisim fëmijët këtu me nder dhe dinjitet”, tha Metaliaj.

Data 15 shkurt u theksua nga Vokshi si dita e fundit ku presim që Edi Rama të largohet, ose përkundrazi, tha ajo, jemi ne që duhet të marrim fatet tona e të fëmijëve tanë në dorë.

(BalkanWeb)