TIRANE- Aleanca e Grave deputete priti sot, një grup përfaqësuesish të organizatës “The Sisterhood of Salaam Shalom”, Motrat për paqen”, organizatë e grave hebreje dhe myslimane, për promovimin e paqes,

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e AGD-së, znj. Mesila Doda uroj mirëseardhjen dhe shprehu bindjen, se ky aktivitet të jetë një ogur i mirë për të gjithë ne, që presin ditë më të paqta dhe një realitet më të mirë.

Gjithashtu, znj. Doda tha se udhëtimi i tyre është nën shenjën e paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. “Vendi im, siç thotë Papa Françesku, është një model jo thjesht i bashkekzistencës, por vëllazërisë midis besimeve të ndryshme. Askush më mirë se gratë që bartin jetë nuk mund të sjellë dhe të transmetojë këtë mesazh të madh që Hyu e solli mes nesh, jeta respektohet, nuk vritet, edhe kur ka kundërshti, edhe kur ka ndasi e armiqësi”, përfundoi fjalën e saj znj. Doda.

Gjatë bisedës së tyre, Drejtoresha Ekzekutive e “Sisterhood of Salaam”, znj. Sheryl Olitzky Shalom” tha se : “Ne jemi një organizatë që u krijuam me synimin për të qenë përkrah grave. Nëse duhet ta bëjmë botën një vend më të mirë, ne e dimë se gratë mund ta bëjnë këtë gjë. Ne jemi ato që mbrojmë brezat e ardhshme dhe ajo për të cilën biem të gjitha dakord, është se duhet ta bëjmë jetën një vend më të mirë për të jetuar. Ka mjaftueshëm dhembje dhe nuk ka vend për më shumë urrejtje. Ne kemi bashkuar gratë nga besime të ndryshme me qëllimin për të ndërtuar një marrëdhënie besimi mes tyre, respekt për njëri-tjetrin. E kuptojmë se kemi kaq shumë të përbashkëta, por edhe pse ka ndryshime, është normale të jesh e ndryshme dhe t’i respektosh këto ndryshime. Ju falënderojmë shumë për ftesën dhe për mikpritjen që gjetëm këtu”.

Ndërsa, nënkryetarja e Aleancës, znj. Mimoza Hafizi nënvizoi se AGD po përpiqet të imponojë të njëjtin mentalitet dhe bashkëjetesë midis partive të ndryshme, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes kaheve të ndryshme politike. Sakaq, tha Hafizi kjo aleancë është ngritur, dy vite më parë duke u angazhuar në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe rritjen e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe në jetën politike” Më tej, deputetja znj. Mimoza Hajdarmataj tha se këto zonja përcjellin të njëjtin besimin dhe dashuri që hebrenjtë sollën gjatë strehimit të tyre në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb