ELBASAN

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë për Elbasanin i ka bërë thirrje Presidentit që, si garant i Kushtetutës të nisë konsultimet me partitë politike dhe të caktojë një datë të përshtatshme për zgjedhjet lokale.

Në një takim të hapur të drejtuesve të partive të opozitës ku të pranishëm ishin edhe ish-deputetë të PD si edhe përfaqësues të shoqërisë civile, medias, të biznesit, anëtarët e saj kërkuan qetësimin e situatës, pasi vendi është drejt një konflikti civil. Situata konfliktuale politike po çon vendin drejt një konflikti total, qoftë nga ana institucionale qoftë ligjore që paralajmërojnë fatkeqësisht 1997-ën.

Aleanca u bëri thirrje të gjithë qytetarëve elbasanas të mos bëhen bashkëpunëtorë të procesit të 30 Qershorit, që synon eliminimin e pluralizmit politik dhe kthimin e vendit ne monizëm.

Ish-deputeti i PD Luçiano Boçi gjatë një deklarate për mediat tha se situata në vend po shkon drejt një dekadence ligjore.

“Kemi detyrimin qytetar të bashkohemi dhe në thelb të ndërgjegjësojmë dhe pjesën tjetër të qytetarëve për realitetin i cili na pret nëse nuk reagojmë. Vendi është në një rrezik për demokracinë dhe pluralizmin nga tentativa e Edi Ramës për të zhvilluar një proces fals në 30 qershor. Jemi në kufijtë e vendosjes së një regjimi. Prandaj të ndodhur në një situatë të tillë dhe për ta frenuar degjenerimin e pushtetit kërkojmë angazhimin maksimal të drejtuesve të gjithë partive të opozitës dhe përfshirjen në Aleancën për Mbrojtjen e Demokracisë nga Qytetarët të intelektualëve dhe çdo qytetari, të studentëve, biznesmenëve dhe jo vetëm”, deklaroi Boçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb