Kamza ishte ndalesa e radhës e ‘Grupimit të Qendrës së Djathtë’, ku u organizua një takim me qytetarët, që tashmë njihet si ‘Forumi për Zgjedhje të Lira’. Krerët e 5 partive aleate të Partisë Demokratike i bënë thirrje presidentit të Republikës, si i vetmi autoritet kushtetues, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj.

“I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore”, deklaroi kreu i PR, Fatmir Mediu.


“Jemi brez i humbur, ne po se po, por mbi ne rëndon edhe përgjegjësia nëse do të jetë i humbur edhe brezi i fëmijëve tanë. Nuk mund t’ia falim një brez të tërë, të shoqërisë sonë, Edi Ramës dhe interesave të tij okulte. Duhet të ndërgjegjësohemi!”, tha kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.


Lidhur me audiopërgjimet e reja të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, aleatët e PD-së janë të mendimit se Vangjush Dako nuk mund të vidhte votat pa bekimin e Edi Ramës.
“E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vet, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet”, tha kreu i PAA Agron Duka.


Ndërsa kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha: “Ky njeri na ka futur dorën në xhep të gjithëve neve, dhe e ndan me këto 10-15 vetë. Një pjesë e këtyre parave kanë ardhur edhe nëpërmjet duarve të zeza fare, nga duart e drogës dhe të krimit e po shërbejnë për të blerë votat. Tani ky lloj rrethi, që merr lekët për të blerë votat, mbasi merr votat merr pushtetin për të vjedh lekët, për të blerë votat përsëri, për t’u rrotulluar përsëri këtu, në qoftë se ne nuk do ta ndalojmë do të na ndjekë gjithë jetën. Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje”.

“E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar. E kanë shoqëruar skandalet, nuk është thjeshtë dëshira jonë për ta larguar, apo e opozitës për të ardhur në pushtet. Nuk ka kërkuar pushtet opozita, nuk kërkon pushtet Lulzim Basha, ne kërkojmë largimin e këtij kryeministri që është kapur peng nga grupet kriminale. Ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm!”, deklaroi kreu i PDK, Nard Ndoka.

Krerët e partive opozitare kërkuan nga qytetarët që të vijojnë rezistencën dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e 8 qershorit.

(m.k/BalkanWeb)