“Unë jam i qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër agresionit iranian. Unë jam po aq i qartë se ne duhet të shmangim përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në rajon dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen. Irani nuk duhet të përgjigjet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të ulur tensionet në të gjithë rajonin”, tha ai.
Më pak i qartë është qëndrimi i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili mbajti një fjalim në Parlamentin e Izraelit të hënën.
“Të shtunën ne goditëm dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Iranin. Kjo nuk është hera e parë që ne e kemi dëshmuar se ushtria jonë mund të godasë çdo vend, ku bëhet thirrje për shkatërrimin e Izraelit”, tha ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha të hënën se Teherani do të përgjigjet.
“Ne do të përdorim të gjitha mjetet për një përgjigje vendimtare dhe efektive ndaj agresionit të regjimit zionist. Përgjigja jonë do të bazohet në llojin e sulmit izraelit”, tha ai.
Departamenti i Shtetit paralajmëroi të hënën Iranin që të mos i përgjigjet sulmit të 26 tetorit nga Izraeli. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo ishte një përgjigje ndaj sulmit iranian të 1 tetorit ndaj Izraelit. Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit Matthew Miller paralajmëroi se nëse Irani do të përgjigjej, Shtetet e Bashkuara do të “vazhdonin të mbronin Izraelin.”
Lidhur me situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës, zëdhënësi Miller shprehu kundërshtimin ndaj një ligji izraelit, që synon të ndalojë Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë.