Aleatët e Amerikës deklaruan se do t’i bashkohen një reagimi të mundshëm ushtarak ndaj sulmit me armë kimike në Siri që dyshohet se është ndërmarrë nga forcat besnike të Presidentit Bashar Al-Assad.

Por ata po i kërkojnë Uashingtonit të shmangë një kundërpërgjigje të nxituar, duke thënë se para se të nisë ndëshkimi, nevojiten më shumë prova se sulmi kimik vërtet është kryer nga qeveria siriane.

Me fjalë mjaft të drejtpërdrejta, Presidenti i SHBA Donald Trump paralajmëroi në Twitter të mërkurën se reagimi ushtarak po vjen.

Ai shkruante: “Rusia ka deklaruar se do të qëllojë çdo raketë që do të hidhej kundër Sirisë. Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe ‘inteligjente’!” Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!”

Zyrtarët rusë nuk vonuan të përgjigjen, duke thënë se nëse do të ketë një goditje amerikane, atëherë Rusia do t’i rrëzojë raketat dhe do të vërë në shënjestër pozicionet nga ku ato janë lëshuar.

“Raketat inteligjente duhet të fluturojnë drejt terroristëve, jo drejt qeverisë së ligjshme që lufton terrorizmin ndërkombëtar prej disa vitesh në territorin e saj”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në Facebook.

Në klimën e shkëmbimeve të nxehta në mediat sociale, me kërcënime dhe paralajmërime, ku flitet për një konfrontim ushtarak mes SHBA dhe Rusisë, Britania, Franca dhe Australia kanë ofruar mbështetje për një sulm amerikan me raketa, por duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre.

Ata po vënë në pikëpyetje efektin parandalues të sulmeve me raketa, duke theksuar se kundërpërgjigjja ushtarake amerikane një vit më parë ndaj një sulmi me gaz sarin në provincën veriore siriane të Idlibit, nuk e ka ndalur Assadin të ndërmarrë sulme të tjera kimike, kryesisht me bomba thërrmuese me klor, të hedhura nga helikopterët e regjimit sirian.

Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump të martën vonë, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit. Sulmi ka lënë të paktën 40 të vdekur dhe deri në 500 të plagosur.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) përgatiten të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi, aleatët e tjerë perëndimorë thanë se nuk duhet të ndërmerren veprime pa u sqaruar fakte të tjera.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca është gati të angazhohet për veprime ndëshkuese, nëse konfirmohet se Presidenti Assad ka kaluar vijën e kuqe dhe ka përdorur armë kimike. Por duket se ai dëshiron që goditjet e kundërpërgjigjes të kufizohen vetëm ndaj objekteve siriane të armëve kimike.

Ndërkohë që SHBA dhe aleatët e tyre perëndimorë po sinjalizojnë një përgjigje të mundshme ushtarake, analistët thonë se është humbur elementi i befasisë dhe se qeverisë siriane dhe mbështetësve të saj ushtarakë, Rusisë dhe Iranit, po u jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur.

“Sigurisht, problemi është se efekti i befasisë është plotësisht i humbur. Gjithashtu, regjimit sirian, Rusisë dhe Iranit i është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur me bateri kundër-ajrore dhe për të zbrazur objektivat e mundshme”, thotë Olivier Guitta, drejtor menaxhues në GlobalStrat, një firmë konsulence për sigurinë dhe rrezikun gjeopolitik.

Ai thotë se situata tani është ndryshe nga viti 2013, kur paraardhësi i zotit Trump, Barak Obama kërcënoi të godiste Assadin për një sulm kimik ndaj kryengritësve dhe civilëve në një periferi të Damaskut.

“Në atë kohë, pasojat do të kishin qenë shumë më të vogla, sepse Irani dhe Rusia ishin fare pak të pranishëm në Siri”, thotë ai. “Megjithëse një goditje kundër Assadit është më se e vonuar që nga viti 2013, tani ekziston rreziku i shpërthimit, shkallëzimit dhe luftimeve të para reale mes Rusisë dhe Perëndimit duke i hapur derën një konflikti më të gjatë,” paralajmëron ai, shkruan voa.

Kjo frikë mesa duket po ndikon te qeveritë europiane aleate me Shtetet e Bashkuara, përfshirë disa anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet të Kryeministres Theresa May, të cilët shqetësohen se administrata Trump nuk ka një strategji të përgjithshme për Sirinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: