TIRANË- Disa parti të majta kanë deklaruar sot se do të bëjnë fushatë për Partinë Socialiste. Bëhet fjalë për 23 parti të spektrit të majtë që kanë deklaruar sot se do të kërkojnë vota për PS-në, duke afirmuar kështu mospjesëmarrjen në zgjedhje me logon e tyre. Këto parti nuk janë regjistruar në KQZ, megjithëse kanë deklaruar se tërhiqen nga regjistrimi.

Tre prej përfaqësuesve të partive të vogla, Petro Koçi, Idajet Beqiri dhe Gjergj Koja janë takuar sot me kryeministrin Edi Rama në selinë e PS. Në takim ka qenë i pranishëm edhe deputeti Musa Ulqini.

Në përfundim të takimit, kreu i PSV 91, Petro Koçi iu bëri apel partive të majta të regjistruara në zgjedhje të tërhiqen nga regjistrimi në KQZ. Sipas tyre çdo votë për partitë e vogla, dëmton koalicionin dhe PS.

“Çdo votë për partitë e vogla dëmton koalicionin. Tërhiqemi nga regjistrimi. I bëjmë thirrje edhe Milos dhe Gjinushit të tërhiqen. Mbështesim PS për 71 mandate në zgjedhje. Votat për partitë e vogla dëmtojnë fitoren e PS”, deklaroi Koçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb