Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka zhvilluar një takim në zonën e Prrenjasit me fermerë dhe sipërmarrës në fushën e bimëve medicinale, të cilët operojnë në grumbullimin, ambalazhimin dhe eksportin e këtyre produkteve. Një sektor me potencial të lartë punësimi për banorët e zonave rurale dhe një ‘eliksir’ i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, i cili ka nevojë për orientim dhe mbështetje.
Takimi u zhvillua në kuadër të turit që PAA po organizon në qytete të ndryshme, me synim përgatitjen e kësaj force politike për zgjedhjet e parakohshme nëpërmjet identifikimit të problematikave kryesore dhe kandidatëve potencialë.


Z. Duka thekson se qëndrimi i Bundestagut do të jetë përcaktues për zgjidhjen e krizës politike. Shterimi i energjive qeverisëse, rënia e rritjes ekonomike, kriza e prodhimit, e evidentuara nga protestat e fermerëve, tregojnë se jemi përballë një mazhorance pa të ardhme politike, e cila po prodhon kosto sociale dhe ekonomike që vetëm zgjedhjet e reja mund ta ripërtërijnë. Bashkë me zgjedhjet, do të triumfojnë edhe zgjidhjet ekonomike për bujqësinë. Prandaj z. Duka theksoi për të pranishmit se PAA është një parti e hapur për të gjithë ata që duan ta kthejnë atë në zërin e fortë të fermerëve dhe blegtorëve në zgjedhjet e ardhshme.


“Unë s’kam ardhur rastësisht sot këtu. Përveç se të flasim mbi problemet dhe hallet e bujqësisë, që ne e kemi për detyrë funksionale, sepse në fund të fundit kjo parti prandaj ekziston. Por kam ardhur edhe për t’ju thënë që situata politike është në një kizë të jashtëzakonshme, ju e ndiqni dhe e shihni. U rrekën shumë analistë të ndryshëm, qoftë ata që janë sot në mazhorancë për të thënë që s’ka krizë. Por e tha Bundestagu, zgjidhni krizën politike.


Po s’u interesuam vetë ne, përfshirë edhe ju, po s’dolën njerëz nga gjiri juaj, të cilët të jenë të fortë nëpërmjet votave tuaja, nuk kemi për të arritur kurrë që të kemi një zë të fortë në Parlamentin shqiptar dhe qeverinë e ardhshme. Duhet vërtetësisht që një Parti Agrare Ambientaliste në Shqipëri të jetë e fortë dhe të ketë zërin e fortë në Parlament. Duke qenë përpara zgjedhjeve, ndoshta ka ardhur koha të bëheni më pragmatist sesa ideologjikë, dhe nga gjiri juaj të nxirrni njerëz që u besoni dhe i njihni. Bujrum, partia është e hapur; ju merreni me bujqësi dhe ne hallet duhet t’ia qajmë njëri-tjetrit. Po s’ia qamë njëri-tjetrit, s’ka për të ardhur njëri për të na i qarë hallet”, tha Duka.
(BalkanWeb)

Etiketa: