SIRI- Rebelët sirianë janë larguar nga zonat e fundit të qytetit të vjetër të Alepos, ka njoftuar observatori sirian për të drejtat e njeriut. Sipas këtij grupi monitorues tërheqja e rebelëve vjen pas disa ditë luftimesh të rënda, teksa forcat qeveritare u përpoqën të përçajnë zonat e mbetura të rrethuara nga rebelët. Këta të fundit mbajtën të rrethuar për katër vjet zonën rreth qytetit të vjetër.

Ushtria siriane zotëron tashmë më shumë se dy të tretat në lindje të Alepos, dhe po përpiqet të marrë kontrollin e të gjithë qytetit. Dhjetëra mijëra civilë ndodhen ende të rrethuar në lagjet e fundit të pushtuara nga rebelët.

Korrespondentja e agjencisë së lajmeve BBC në Alepo është shprehur se zyrtarët po përgatiten për një tjetër eksod, teksa familjet përpiqen të arratisen pasi ndodhen në një situatë tejet të vështirë. Furnizimet me ushqim janë reduktuar dhe nuk funksionojnë spitalet për shkak të bombardimeve të rënda muaj me radhë.

Ndërkohë, ministria ruse e mbrojtjes ka bërë të ditur se këshilltari ushtarak rus në Siri ka mbetur i vrarë gjatë sulmeve të rebelëve. Në deklaratë thuhet se ai është vrarë në një zonë në perëndim të Alepos të zotëruar nga forcat qeveritare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb