Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka qënë i ftuar edhe në Radio Televizionin e Kosovës ku ka dhënë një intervistë lidhur me situatën aktuale politike në vend.

Mes shumë të tjerave Ahmeti nga Kosova përmendi se partia e tij, paska zyrtarizuar përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.

“Flamuri i shtetit të Maqedonisë është shtetëror si flamuri i Kosovës. Shqiptarët e kanë të legjitimuar përdorimin e flamurit shqiptar. Shqiptarët në Maqedoni e kanë legjitimu BDI-në, në zgjedhjet e fundit kemi mbi 153 mijë vota. Kjo na obligon se duhet të jemi shumë më të përgjegjshëm në punë që të zbatojmë atë agjendë”- theksoi Ahmeti.

Për të sqaruar më mirë opinionin e gjërë, Portali Vatra iu përkujton se ku dhe në çfarë mënyre përdoret Flamuri Kombëtar Shqiptar.

E para, me ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive që jetojnë në Maqedoni, i sjellur në vitin 2005 dhe i ndryshuar e plotësuar në vitin 2011, flamuri që përdoret krahë atij maqedonas emërohet “flamuri i bashkësisë mbi 50%”.

Që do të thotë se, do të përdoret flamur tjetër krahë atij maqedonas vetëm në vendet dhe njësitë e qeverisjes lokale ku bashkësia tjetër etnike përfaqëson mbi 50% të popullatës në atë vend.

Për sqarim më të thjeshtë për Ali Ahmetin dhe BDI-në, flamuri kombëtar shqiptar, institucionalisht kanë të drejtë ta përdorin shqiptarët në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë dhe në komunat tjera ku shqiptarët janë shumicë. Kjo do të thotë se shqiptarët që jetojnë në Resnjë, Manastir, Veles, Krushevë, Prilep, Kumanovë, Ohër e gjithandej ku nuk janë shumicë, nuk e kanë të drejtën e përdorimit të flamurit të tyre kombëtar.

Për ta bërë më të thjeshtë, një shqiptar që jeton në Strugë e ka të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, ndërsa një shqiptar tjetër që jeton në Ohër, vetëm 12 kilometra larg nga Struga, me mundësi reale për të qënë familjar me shqiptarin nga Struga, nuk e ka këtë të drejtë.

Apo shqiptari i Likovës që ka të drejtë ta përdorë dhe shqiptari që mund të jetë vëllau i tij që jeton në Kumanovë e nuk e ka këtë të drejtë.

Me këtë ligj të sjellë nga BDI-ja e Ahmetit, u krijuan disa kategori shqiptarësh. Shqiptarë që kanë të drejtë të përdorin flamurin kombëtar, shqiptarë që nuk kanë të drejtë ta përdorin atë, shqiptarë që kanë të drejtë të flasin shqip dhe shqiptarë që nuk kanë të drejtë të flasin në gjuhën e tyre.

Gjithsesi çështja e gjuhës kërkon trajtim të veçantë dhe më të gjërë.

E dyta, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive që jetojnë në Maqedoni, (Gazeta Zyrtare e RM-së, nr. 100, e datës 24 Korrik 2011), u shtua edhe një Nen në ligjin ekzistues. Është Neni 8a, i cili thotë se në rastet kur përdoret flamur tjetër krahë flamurit shtetëror (maqedonas), flamuri maqedonas duhet të jetë me dimenzione më të mëdha apo flamuri i bashkësisë tjetër etnike të jetë sa një e treta (1/3) e atij maqedonas.

Shkurtimi i dimenzioneve të Flamurit Kombëtar, nuk ishte as në Ligjin e vjetër që BDI-ja e Ahmetit e ndryshoi në marrëveshje me partnerin e koalicionit.

Për fund, Ahmeti thirret në 153 mijë votat që i dhanë atij dhe partisë së tij legjitimitet për të qeverisur, por një pyetje logjike që qarkullon në opinion është se çfarë agjende është duke realizuar BDI dhe Ahmeti?!

Për çfarë të mire i ka shfrytëzuar BDI këto 153 mijë vota?

Për presidentin konsensual?

Për Gjuhën Shqipe zyrtare?

Për Statusin e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës?

Për “Skopje 2014″?

Për Monstrën?

Për Sopotin?

Për Goshincën, Brezën e Malinën?

Për t’i qëndruar besnik atij partneri koalicioni edhe pas këtyre skandaleve që po publikohen, ku kolegët dhe “prijatelat” tuaj ju quajtën “indijanë”, “fis i egër”, “shiptari”, “kopila” e çka mos?!

Me vizitën Tuaj në Prishtinë, “na e mbushët mendjen” për të gjitha!

(ma.ar/vatra/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: