Analisti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së Fitim Zekthi i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me vendimin e demokratëve për të dalë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatë për disa bashki dhe për situatën e opozitës në vend.
Sipas tij ka pasur shumë diskutime brenda Kryesisë për mënyrën e paraqitjes në zgjedhjet e 14 majit, teksa zbuloi se ka pasur zëra për të mos penguar kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por që sipas tij kanë qenë minorancë.
Zekthi deklaroi se vendimi për të mos penguar kandidatët e “foltores” në shumicën e bashkive u mor si vullnet për të mos shkaktuar sherre dhe përçarje të mëtejshme në opozitë.
“Kemi dalë me kaq kandidatë pas një diskutimi të gjerë të përditshëm prej rreth 20 ditësh. Ka pasur zë për të mos penguar kandidatët e foltores, por ka qenë minorancë. Ka pasur dhe opinione për të pasur kandidatë në të gjitha degët. Pasi u analizua u votua me shumicë dërrmuese që në degët ku PD ka dalë me kandidatë dhe e shikon që nuk prodhon debat të madh lokal të garohet me kandidatë. Duhet të mbrojmë vlerat e PD-së.
Është marrë vendim të garohet në rreth 1/3 e bashkive në vend. Ka qenë një debat i vazhdueshëm prej mbylljes së negociatave mes Bardhit dhe Palokës kur nuk u arrit një akord për bashkim të palëve. Kur Apeli më pas mori vendimin debati u intensifikua për shkak edhe të afrimit të datës së zgjedhjeve. Lëvizja e foltores përdor një gjuhë shantazhuese, ne duke e konsideruar veten si njerëz që nuk duam sherr dhe nuk shajmë njerëz nuk i kemi fryrë zjarrit.
Është një shtrirje dore me votuesin opozitar. Me gjuhën që përdor Berisha nuk mund të ketë shtrirje dore, është një gjuhë që thotë se e vërteta është vetëm e tij dhe kërkon vetëm ndarje dhe tensione. Dalja me kaq kandidatë ka ardhur si miratim i vullnetit të degëve nga Kryesia. Aty ka prevaluar një ndjenjë përgjegjësie për të mos e hedhur në sharrënajë situatën. Tendenca dhe vullneti ka qenë për të mos patur sherre në opozitë. Ajo lëvizja e foltores i quan njerëzit banditë, kanë thënë se Alibeaj ka rekorde kriminale të rënda, për Bardhin kanë thënë fjalën e fundit. Ne nuk i kemi thënë kurrë këto për askënd. Nuk është kjo gjuha që duhet përdorur. Ata kanë ndërtuar një lëvizje bolshevike që nuk e çon Shqipërinë askund.
Dalja me 21 kandidatë është shumë serioze. Kishte variant të dilnim me zero kandidatë, por prevaloi varianti i miratuar sepse u duk më i arsyeshëm. Ka degë që nuk e duan. Marrim Vaun e Dejës apo Hasin e Kukësin. Janë disa degë që thonë se situata është shumë e tensionuar dhe nuk duan ta fryjnë më. Është vullneti i degëve dhe përgjegjësia e Kryesisë për të lënë opozitën të jetë e fuqishme dhe për të mundur Ramën.
Kam përshtypjen se opozita në tërësi do jetë me rezultat të dobët për shkak të kësaj “therjeje”. Meta dhe Berisha janë opozitë por kanë pikëpamje tjetër për bërjen e opozitarizmit. Zgjedhja ishte e tyre për të garuar nën logon e një partie tjetër. Alibeaj, Bardhi e shumë të tjerë kanë thënë që kandidatët e Primareve të vijnë nën logon e PD-së pasi është shtëpia e tyre, por për hir të nevojës për të qenë bashkë e për të dalë nga politika e rrugës. Janë ftuar të vijnë dhe ka pasur vend por nuk janë kthyer.
Berisha e ka kthyer në çështje jetë a vdekje shndërrimin e PD-së si diçka që i përket vetëm atij dhe ajo që thotë ai është e vërtetë dhe ka mbajtur në një mënyrë me forcë kandidatët e Primareve nën logon e koalicionit. Berishës nuk i intereson të fitojë në zgjedhje. Ai kërkon që PD-në ta shkrijë dhe të jetë ai përfaqësuesi i vetëm. Mendimi i Tabakut apo Çupit ishin legjitimë por ishte pakicë. Demokracia funksionon duke diskutuar e votuar.
Shqipëria ka vuajtur nga një politikë ku nëse nuk ishe dakord ishe kundërshtar dhe e vërteta supreme buronte nga kreu i partisë. Kjo politikë është e inatit dhe monopolizimit të së vërtetës dhe nuk shikon kurrë asnjë të mirë te kundërshtari. Si ka mundësi që Berisha, që është nderuar nga gjithë demokratët të arrijë të flasë ashtu për Alibeajn apo të tjerë. Nuk ka mbetur njeri pa u sharë nëse del kundra. Kjo është antipolitikë.
Fatkeqësisht më duhet të jem i drejtë, por opozita do marrë rezultat shumë të dobët në këto zgjedhje. Rama për fat të keq do marrë shumicën dërrmuese dhe është fatkeqësi. Njerëzit sot jetojnë në baltë dhe pluhur. Rendi publik është në gjendje të rëndë. Jemi në gjendje dramatike, qeverisja është e tmerrshme, por opozita është në luftë se kush do dominojë tjetrin.
Alibeaj e tha që do mbajë përgjegjësi për çdo rezultat në zgjedhje. Ai nuk tha që do fitojmë shumë bashki, e di situatën”, u shpreh ai.