TIRANE

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se 16 shkurti ishte testi i parë për vrasjen e frikës dhe tashmë protestat do vazhdojnë deri në largimin e Edi Ramës.

Alibeaj u shpreh se kohët e qeta për Ramën kanë mbaruar dhe se opozita ka mbështetjen dhe besueshmërinë e qytetarëve.

“16 shkurt ishte test për vrasjen e frikës dhe protestat do të vazhdojnë. Kohët e qeta tashmë për Ramën kanë mbaruar. Më duhet ta pranoj se ka pasur një mbështetje dhe besueshmëri të publikut ndaj opozitës. Lënia e mandateve rriti besueshmërinë tek publiku. Sot gjithçka mund të thuhet, sot vetëm stabilitet social nuk ka në Shqipëri. Sot ka një përballje, mes popullit dhe qeverisë. Edhe lënia e mandateve synonte këtë panoramë, pra populli përballë qeverisë. Shteti ka rënë dhe sistem parlamentar nuk kemi. Protestat janë ndër mjetet më të forta kundër regjimit autokratik”- tha Alibeaj.

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj tha se protestat e opozitës së bashkuar janë një mjet shumë i fuqishëm kundër këtij regjimi. Ai shtoi se personat që janë sot në parlament janë aty për shkak të mbështetjes nga krimi.

“Sot besoj se nuk ka shqiptar sot që nuk e di se kjo qeveri nuk ka asnjë mbështetje legjitime. Ky është parlament i krimit, mbështetur nga kriminelët. Qytetarët kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet këtu janë blerë e kjo gjë ka dalë sheshit përmes përgjimeve. E thotë një media prestigjoze si Zëri i Amerikës”, tha Alibeaj.

Ish-numri një i Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë tha se opozita do zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën.

“Do të ketë zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën. Janë shumë deputetë dhe ministra që kanë lidhje me krimin. Nga viti 2013 e këtij kemi një parlament të krimit. Qytetarët shqiptarë janë sot nën tutelë të krimit. Partia Demokratike është ajo e cila ka krijuar pluralizëm. Edhe PD ka pasur edhe momente të zeza sigurisht, përfshi këtu 1996, patjetër. Sot opozita ka mbështetjen popullore. Zgjedhje me krimin nëpër këmbë e me banda nëpër qendra votimi nuk mund të ketë”, tha Enkelejd Alibeaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb