TIRANË

Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka folur në studion e News24 në rubrikën “Opinion” për situatën politike dhe aksionin opozitar. Alibeaj shpjegoi përse opozita kërkon zgjedhje me qeveri tranzitore ka Edi Ramën kryeministër. Ai tha se është kërkesa më minimale që të ketë garë dhe qytetarët të votojnë të lirë.

“Jemi të konsoliduar në këtë lloj pozicioni. Pozicion i deklamuar së paku në 16 shkurt. Sigurisht e kemi artikuluar këtë lloj pozicioni tonin jo si tekë, jo si një arsyetim i pajustifikuar jo logjik jashtë realitetit por se u tregua shumë kohë më parë, me 184, 339 dhe me 30 qershorin se në ka një problem që godet demokracinë sot është pikërisht qenia kryeministër e këtij njeriu. Për këtë arsye është fare minimale dhe proporcionale për të risjellë demokracinë, zgjedhjet e lira, të drejtën e publikut shqiptar të votojë i lirë. Minimumi i garancive kushtetuese të këtij vendi të fituara këtu e 30 vite më parë është gara e ndershme. Gara e ndershme është që asnjë nga palët të mos ketë avantazh joproporcional. Mendoni në një garë me këtë kryeministër dhe 3 mld euro të drogës, me riimpulsim të krimit e me të gjithë të metat që ka treguar historikisht në këtë vend. Besoj që kërkesa jonë është minimale dhe e justifikueshme dhe është proporcionale. E para, e dyta me një qeveri tranzitore e cila të garantojë minimalisht jo vetëm barazinë mes palëve, por mbi të gjitha do duhet të garantojë qetësinë, sigurinë e njerëzve për të votuar të lirë. Dhe e treta, ne e filluam këtë aksion më 16 shkurt, kohë më parë në fakt por në 16 shkurt me djegien e mandateve, me bërjen e një seri protestash e sigurisht mos pjesëmarrjen në atë që nuk janë zgjedhje në fakt bazuar pikërisht tek ky qëndrim. Më duhet ta them jo vetëm politikisht por edhe në aspektin njerëzor, sot ajo që i kërkohet më tepër opozitës jo vetëm opozitës, çfarë i kërkohet forcave do duhet t’i kundërvihen këtij regjimi autokratik e mafioz është qëndrimi me vendosmëri në pozicionet që ka pasur. A duam të rikthejmë edhe njëherë minimumin e demokracisë, bëhet në këtë mënyrë, jo si kërkesa e jona por si nevojë që ka shoqëria shqiptare. Elemente minimalë. Garë po kërkojmë, që njerëzit të votojnë të lirë”, deklaroi Alibeaj.


Ai theksoi se “sot po të futemi në zgjedhje e thyejmë në mes këtë regjim por jo aq sa për aftësitë tona po për urrejtjen ndaj këtij regjimi. Por nuk është kjo arsyeja. Nuk e kemi një luftë apo një betejë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës por për rikrijimin e një sistemi. Prandaj kemi vendosur ato kërkesa. Nuk ka njeri pas 30 qershorit të mos jetë i bindur se me këtë njeri është i aftë të ndyjë, të infektojë dhe më minimumin e proceseve siç është ai elektoral”, tha ai.


I pyetur për aksionin opozitar në shtator Alibeaj la të kuptohej se do të ketë sërish protesta.


“Çfarë veprimesh bëmë në 5 muaj që njohën një hov cilësor dhe sasior. Ne treguam që jemi të gatshëm për sakrificë dhe për të ndërmarrë akte që ndoshta nuk i kishte shkuar mendja kujt më parë. Në mënyrë që të mund të preknim dhe nervin me letargjik të shqiptarit më të manipuluar nga kjo qeveri. Prandaj ndërmorëm ato akte, qoftë me djegien e mandateve qoftë me mos pjesëmarrjen e zgjedhjeve. Forca dhe bashkimi i njerëzve është rruga e vetme që e tremb regjimin dhe i jep zemër shqiptarëve të tjerë”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)