TIRANË- Ka reaguar sërish Partia Demokratike pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj‏ tha se Tahiri nuk guxon as të përmendë emrin e Shullazit. Sipas tij, Tahiri nuk ka dorë në arrestimin e Shullazit, por në krimet e tij.


“Reagimi i Tahirit është veprim i dëshpëruar i atij që e ndjen lakun që po i shtrëngohet. Arrestimi i beftë i padronit të tij, e bën çirakun Tahir të flasë përçart pa guxuar t’ia përmendë një herë të vetme emrin. Sigurisht e dinë të gjithë, shqiptarët dhe ndërkombëtaret se Tahiri nuk ka dorë në arrestimin e Shullazit. Tahiri po, ka dorë në gjakun që u ka pirë Shullazi biznesit duke u vënë gjoba dhe tritol. Tahiri ka dorë në lehtësitë e kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pesëfishimin e parcelave me hashash, këtë e dinë shqiptarët e ndërkombëtarët”, tha Alibeaj.


Ai shkon më tek me akuzat ndaj Tahirit, duke e cilësuar Shullazin, padronin e tij. “Nxiton sot të shkëputet nga padroni i tij, por 3 vite bashkëpunim me krimin, ndarje pazaresh me Shullazin nuk fshihen me një deklaratë të mjerë. Shpejt do i vijë radha dhe atij. Ora po troket për të dhe banditët që po i marrin frymën vendit. Të njëjtin fat do kenë”, përfundon deklarata e Alibeajt.


(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: