TIRANË- Ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka nënshkruar sot një marrëveshje për fillimin e proçesit të studimit për gazifikimin e Shqipërisë (Master Plani i Gazit të Shqipërisë) me Ministrin e Industrisë dhe Energjisë së Republikës së Azerbajxhanit, z. Natig Aliyev.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në një konferencë të përbashkët Gjiknuri u shpreh se me këtë marrëveshje Shqipëria do të bëhet përfituese reale e gazit në të ardhmen.

“Me përfaqësuesin e qeverisë azere diskutuam për rritjen e bashkëpunimit intensiv jo vetëm për avancimin e TAP, një projekt shumë i rëndësishëm, por edhe për zhvillimin e marrëdhënieve në sfera të tjera të ekonomisë”.

Ndërsa Aliyev nga ana e tij u shpreh se “Miqësia mes dy vendeve është duke u forcuar muaj pas muaji dhe vit pas viti. Jemi të lumtur për bashkëpunim me vendet e rajonit për korridorin jugor të gazit. Ne besojmë se do forcojmë gazifikimin e vendeve të Europës Juglindore. Qëllimi ynë i vetëm nuk është që të sjellim gazin, por që ta gazifikojmë Shqipërinë. Ndërkohë që kompania kryesore e gazit Socar ka bërë këtë në disa shtete për sa i takon gazifikimit prandaj po përgatit edhe terrenin për gazifikimin e Shqipërisë. Për 1 muaj nisim punimet për të implementuar masterplanin, do vazhdohet me studimin e fizibilitetit”, tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: