Eldar Aliyev, i ngarkuari me pune ne ambasaden e Azerbajxhanit i ftuar në emisionin ‘Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24, tha se korridori Jugor i Gazit është një komponent i rëndësishëm i politikës energjetike të BE. Aliyev vlerësoi projekt TAP si pjesë integrale e këtij megaprojekti

 Një nga investimet më të rëndësishme të Azerbajxhanit në Shqipëri është projekti TAP. Në cilën pikë është puna për përfundimin e saj?

TAP është një pjesë integrale e mega projektit të Korridorit të Gazit Jugor, i cili pritet të sjellë gazin natyror nga fusha e gazit Shah-Deniz në det të hapur të Azerbajxhanit në Evropë. Në fazën e parë është filluar eksplotimi i fushës së gazit Shah-Deniz në det të hapur dhe gazi i Azerbajxhanit ka arritur Gjeorgjinë. Pjesa e dytë është tubacioni Trans-Anatolian (TANAP), i cili u inaugurua verën e kaluar. Dhe pjesa e fundit e këtij korridori është Tubacioni Trans Adriatik (TAP) që do të sjellë gazin e Azerbajxhanit në Evropë. Duke qenë pjesë e këtij projekti të madh të energjisë, Shqipëria është përfshirë në pjesën 215 km të TAP-it me pikën më të lartë të tubacionit prej përafërsisht 2,100 metra në malet e Shqipërisë.

Projekti TAP pritet të përfundojë deri në vjeshtë të vitit të ardhshëm. Mund të jetë kompania TAP-AG që mund të jap detaje më të sakta, por si informacion i përgjithshëm mund të them se në Greqi dhe Shqipëri ka përfunduar më shumë se 90 për qind e punimeve, ndërsa në Itali po punohet.

Sa gaz pritet të kalojë nga Azerbajxhani në Europë?

Me përfundimin e TAP, kapaciteti do të jetë 10 miliardë metra kub në vit. Dhe e gjithë kjo shumë do të sigurohet nga fusha e gazit Shah-Deniz. Kapaciteti i tubacionit mund të përmirësohet në 20 miliardë metra në vit me stacionet e kompresorit shtesë. Por kjo është një temë e së ardhmes.

Cilat do të jenë ndikimet e projektit TAP në Shqipëri? A do të gëzojnë shqiptarët avantazhet e gazit natyror?

Korridori Jugor i Gazit është një komponent i rëndësishëm i politikës energjetike të BE. Dhe për të siguruar që Korridori Jugor i Gazit të përmbushë qëllimin e tij, është thelbësore që gazi Kaspik të arrijë shumë tregje dhe konsumatorë të ndryshëm evropianë. Gazi Kaspik mund të rrjedhë në tregjet në rritje në Ballkan dhe Evropën Juglindore, të cilat momentalisht janë të varura nga një furnizues i vetëm me gaz. Mundësitë e kyçjes në tregjet pa gaz janë gjithashtu në axhendë. Ekziston një bashkëpunim i ngushtë mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë për përgatitjen dhe zbatimin e Master Planit për gazifikimin e Shqipërisë.

Gjithashtu, do të doja të theksoja se TAP është një nga investimet më të mëdha të huaja direkte në Shqipëri deri tani. TAP merr mbështetje të fortë edhe nga qeveria e Shqipërisë dhe është përcaktuar si një “Projekt me rëndësi kombëtare”. Tubacioni do të ndihmojë Shqipërinë të vazhdojë integrimin e saj komercial dhe fizik me Evropën, duke rritur rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit.

Përveç kësaj, kompania TAP mbështet një gamë të gjerë të projekteve të përgjegjësisë sociale në të gjithë komunitetet e përshkuara nga tubacioni, në fushat e arsimit, shëndetësisë, ngritjes së kapaciteteve etj.

Për të lejuar kalimin e sigurtë të tubave të çelikut nëpër Shqipëri, përafërsisht 180 km rrugë hyrëse do të jenë ndërtuar ose përmirësuar sapo të përfundojë tubacioni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb