Deputeti demokrat Tomor Alizoti në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 e konsideroi plotësisht të arritshme realizimin e kërkesës së opozitës për Qeveri teknike.
Por Alizoti tha se për të realizuar këtë duhet të punojmë fort.
Ai tha se në Shqipëri zgjedhjet vidhen dhe blihen. Në këtë kuadër ai përmendi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, ku tha se ato u fituan nga opozita dhe më pas na del një rezultat që PS shkon e fiton me më shumë se 1 mijë vota diferencë.
“Nuk ka asnjë logjikë me atë që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri. Nëse nuk arrijmë të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme si mund të pretendojmë të jemi pjesë e BE-së”, tha Alizoti.
Ai u shpreh se problemi është se ne nuk kemi zgjedhje, në kohën e PD kishim ndërhyrje primitive në proces, por sot kemi një makineri që ndërhyn dhe manipulon zgjedhjet.
Alizoti duke iu rikthyer protestës së 7 tetorit, tha se nuk mjafton që të protestojnë vetëm mbështetësit e opozitës, por edhe ata që konsiderohen elektorati gri.
“Gjithkush duhet të protestojë, pasi nuk shkelen vetëm të drejtat e atyre që quhen opozitarë, por të të gjithë shqiptarëve”, tha Alizoti.