TIRANË
Deputeti socialist Alket Hyseni i cilëson zgjedhjet e 25 prillit si më demokratiket të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. I ftuar në “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço në News24, Hyseni tha se këto zgjedhje ishin një mundësi për referendum dhe një konfirmim i korrektesës së njerëzve të punës.
“Ishin zgjedhjet më demokratike të organizuara ndonjëherë nga RSH në tërësinë e tyre. Përjashto elementë sporadikë, nuk mund të cenojnë fare faktin që ishin zgjedhje të lira e demokratike. Ishin një mundësi dhe për referendum në kuptimin e debatit. Ishin një konfirmim i korrektesës së njerëzve të punës, i vijimësisë së shumë reformave që nuk janë përmbyllur. Njerëzit arritën të shohin se janë një sërë punësh të mira dhe që e vetmja forcë dhe i vetmi lider që mund t’i çojë deri në fund është PS dhe Edi Rama”, deklaroi Hyseni.
Sa i përket largimit të tij nga parlamenti në shtator dhe se ku e sheh veten, ai tha se ka shumë mënyra për të kontribuuar.
“Parlamenti është një nga mënyrat se si mund të kontribuojë. Por ka dhe shumë mënyra se si mund të kontribuosh. Mund të japësh gjithçka ke nga shpirti, nga profesioni, nga mendja. Ka shumë forma”, tha deputeti i PS.
Lidhur me dorëheqjen e tij nga kandidimi, si i 11-ti i listës së PS në qarkun e Vlorës, Hyseni tha: “Kishte lidhje me konceptimin e një liste. Për të qenë më produktiv në këtë ekip mendova se do ishte më mirë të mos isha në atë listë”.
I pyetur nëse do jetë drejtues i komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit ai theksoi se do pranonte çdo detyrë, por se është vendim i grupit parlamentar.
“E di grupi parlamentar. Do pranoja çdo detyrë që ngarkon grupi parlamentar socialist. Jemi një strukturë politike e organizuar që funksionon nga rregullat dhe disiplina”, deklaroi Hyseni.