Nga: ADELAJDA XHAMANI*
TIRANE – Bukuroshja shqiptare Almeda Abazi vjen këtë javë në “Bluetooth” në një intervistë të gjatë e të sinqertë. Ajo rrëfen për jetën e saj në Turqi, për punën dhe për vlerësimin që merr atje. Ish-‘Miss Shqipëria’ tashmë prej vitesh jeton në Stamboll me familjen dhe është ndër femrat më të pëlqyera të showbiz-it turk. 22- vjeçarja tregon se punon e lodhet shumë, por edhe paguhet shumë mirë. Ajo shprehet me keqardhje se në Shqipëri njerëzit e talentuar nuk vlerësohen sa duhet dhe paguan shumë pak. Megjithëse e re, shumë e bukur dhe tejet e pëlqyer, në zemrën e Almedës nuk ka asnjë mashkull. “Dashuria ka fuqi të prishë çdo plan, duke futur këtu edhe karrierën, ndaj nuk kam kohë të mjaftueshme për t’ia dhënë dashurisë”, – shprehet ajo.
Almeda, si është jeta jote në Turqi? Po bën një jetë të bukur?
Nuk më pëlqen të them që po bëj një jetë të bukur. Mendoj se jeta është një provim, ka të mirat dhe të këqijat e saj, nuk mund të jemi 100% të lumtur. Luftoj dhe punoj shumë që të bëj dhe të arrij atë çka unë mendoj se bën mirë për mua dhe njerëzit përreth meje… Gjithmonë jam munduar të bëj vetëm mirë në jetë… Ky ka qenë qëllimi im kryesor dhe do të vazhdojë të jetë. Për sa kohë unë ndihem e qetë shpirtërisht dhe njerëzit marrin energji pozitive nga unë, jeta ime gjithmonë do të jetë e bukur (buzëqesh).
Në cilin qytet jeton? Me kë e ndan shtëpinë?
Jetoj në Stamboll me familjen.
Kur folëm bashkë, na the se je me xhirime… Me çfarë je angazhuar konkretisht tani?
Tani prezantoj një program televiziv… Jam unë dhe kolegu im Murat që shëtisim vende të ndryshme të botës dhe njëkohësisht i prezantojmë kulturat dhe traditat. Por pjesa argëtuese e këtij programi është tek loja (mini challenge) që bëjmë unë dhe Murat në çdo aeroport, duke bërë një të huaj (për shembull një spanjoll) të përsërisë pas nesh sa më pastër dhe më shpejt një fjali turqisht. Ai që fiton këtë mini garë ka të drejtën të shëtisë një shtet ose qytet me 10.000 dollarë për dy ditë. Ai që e humb garën, fatkeqësisht bën të njëjtën gjë vetëm me 100 dollarë për 2 ditë. Pra ai që humb, jo vetëm që prezanton kulturën, por tregon dhe se si mund të shëtisësh shtetin në të cilin ndodhesh me një buxhet të ulët. Ndërsa fituesi prezanton vendet luksoze dhe të bukura ku të pasurit preferojnë të shkojnë.
Ajo makina e bukur me të cilën ke dalë në foto, e jotja është?
Makina e bukur ishte në Singapor dhe unë nuk kisha shkuar për pushime, siç e përshkruan gazetat në Shqipëri, e nuk është as makina ime (qesh). Ka të bëjë me programin që shpjegova pak më sipër. Pra në Singapor isha unë ajo që fitova lojën dhe pata fatin të prezantoja pjesët e bukura dhe të pasura të Singaporit. Do të doja që makina të ishte e imja, por ka kohë dhe për atë makinë, se unë jam ende 22 vjeçe (qesh).
Cili qe momenti kur ti more famë në Turqi?
Kur mora pjese në “Dancing With The Stars Turkey”. Fitova çmimin e tretë, edhe pse gjithmonë synoj tek 1-shi (qesh). Ajo gjithsesi ishte diçka e madhe për mua, sepse nuk njihesha akoma në Turqi dhe kishte shumë rrezik që publiku dhe teleshikuesit të më shihnin me sy tjetër, pra negativisht, pasi nuk isha turke. Por përkundrazi, më pëlqyen dhe më duan shumë. Pas “Dancing With The Stars Turkey”, sigurisht fillova me projektet e tjera, që patën po aq sukses. Ndihem shumë me fat që pëlqehem nga një shtet i huaj.
A mund të themi se ti tashmë je një nga femrat më të pëlqyera e më të kërkuara atje?
Bota e televizionit është një konkurrencë e madhe… Në këtë sektor çdo ditë futet një fytyrë e re, ndoshta më e bukur, më e suksesshme e ndoshta edhe më e talentuar se ti. Mjafton që unë të pëlqehem dhe të vlerësohem për atë që bëj, në fakt. Gjërat e tjera nuk kanë shumë rëndësi, prandaj nuk mund të them që jam më e pëlqyera dhe më e kërkuara, pasi konkurrenca është e madhe, por më vjen mirë që vlerësohem për aftësitë që kam dhe kjo më mjafton.
Pse nuk zgjodhe të bësh të njëjtën gjë në Shqipëri? Vendi ynë, nuk t’i ofroi të njëjtat mundësi?
Në qoftë se më duhet të flas hapur, Shqipëria, përveç kurorave nuk më ofroi asgjë tjetër, prandaj vendosa të largohem dhe t’u afrohem ëndrrave të mia.
Këtu tek ne thonë se ti në Turqi je bërë milionere. Është e vërtetë?
Punoj shumë, lodhem shumë dhe, sigurisht që shpërblehem, duke fituar po aq shumë. Nuk mund ta mohoj, por nuk mund të them që jam milionere. Më duket një fjalë e shëmtuar…
A ke marrëdhënie të mira me artistët atje?
Normale. Jemi kolegë dhe, do apo nuk do, do të mbash marrëdhënie të mira edhe nëse në të vërtetë ndoshta s’janë (qesh). Po flasim për botën e spektaklit, ku çdo gjë është “fake” në përgjithësi, por rreth tyre ka dhe njerëz me të cilët me të vërtetë kam marrëdhënie të mira.
Si paguhen atje? A fitojnë më shumë se në Tiranë personazhet e famshme?
Më vjen keq ta them, por do të doja që dhe në Shqipëri njerëzit e talentuar të shpërbleheshin aq sa meritojnë, por fatkeqësisht pagesat atje janë shumë shumë më poshtë sesa në Turqi. Mund të them që nuk kanë të krahasuar.
Po fanatikë a janë turqit, siç thonë?
Aspak… Kjo mund të vlejë për vendet e pazhvilluara të Turqisë, ku kanë vendosur të mbajnë traditat. Por nëse flasim për Stambollin dhe shumë e shumë qytete moderne e të zhvilluara të Turqisë, nuk mund të them se janë fanatikë.
Sa vlerësohet një femër e bukur atje? Çfarë të thonë kur kalon në rrugë?
Me thënë të drejtën, jetojmë në një kohë ku çdo femër është e bukur. Nuk po shohim më femra të shëmtuara, falë operacioneve plastike (qesh). Prandaj, nuk kam ç’të them rreth bukurisë fizike të femrës, pasi gjithmonë i kam dhënë rëndësi bukurisë shpirtërore. Po pate një zemër të bukur, ti je e/i bukur gjithsesi.
Je e dashuruar? Ka një mashkull në jetën tënde?
Nuk jam e dashuruar! Dashuria ka fuqi të prishë çdo plan, duke futur këtu edhe karrierën, ndaj nuk kam kohë të mjaftueshme për t’ia dhënë dashurisë… Fatkeqësisht (qesh)!
Almeda, sa të mungon Shqipëria? Ke menduar ndonjëherë se mund të rikthehesh për të jetuar sërish këtu?
Shqipëria më mungon shumë. Sa herë gjej rastin, kur jam e lirë, pa punë, vij shpesh për disa ditë, por nuk mund të them se kam menduar të rikthehem.
Nëse do riktheheshe, çfarë do të dëshiroje të bëje? Do të doje të bëheshe pjesë e televizionit këtu?
Nuk kam menduar të rikthehem ndonjëherë… Por ëndrra ime gjithmonë televizioni ka qenë, kështu që edhe në Shqipëri televizionin do të zgjidhja, sigurisht.
I ndjek zhvillimet në Shqipëri? Cila ngjarje të ka bërë më shumë përshtypje kohët e fundit?
Më besoni që nuk kam kohë të ndjek asgjë, pasi jam gjithë kohën me xhirime nëpër shtete të ndryshme të botës dhe, për fat të keq, nuk ia kam idenë se ç’bëhet me televizionet shqiptare.
Projektet e tua për më vonë, cilat janë? Ku do të angazhohesh më pas?
Pas programit ku jam angazhuar aktualisht, do të punoj në një telenovelë e gjithashtu dhe në një film.
Ka ndonjë gjë për të cilën ne nuk të pyetëm e ti do të na e tregosh?
Doja vetëm t’u thosha gazetarëve shqiptarë: ju lutem të më pyesni ose të bëni pak ‘search’. Domethënë, bëjeni pak punën tamam ashtu siç duhet, para se të shkruani ose më mirë të “shpikni” diçka në lidhje me mua. Përndryshe mos shkruani fare, do e vlerësoja shumë (qesh).

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: