Nga: Enrik MEHMETI

Një prej vendeve më të njohura për historinë Ilire rrezikon të zhduket. Amantia e lashtë po masakrohet vazhdimisht nga gjuetarët e thesareve të cilët kanë dëmtuar një numër të madh varresh ilire. Denoncimi vjen nga kryeplaku i fshatit Ploçë, Adriatik Selimaj i cili denoncon se varret po masakrohen vazhdimisht kryesisht natën.

“Këtu ka vjedhje aq masive sa është bërë si në modë, të gjithë pyesin se ku ndodhet Amantia. Marrin një aparat për të kërkuar flori dhe vijnë. Varret ndoshta kanë gjëra me vlerë brenda dhe ata i kapin nëpërmjet aparatit”,- u shpreh Seliamaj.

Sipas tij, banorë por edhe të ardhur përgjatë gjithë muajve të vitit zhvillojnë kërkime duke i masakruar varret dhe çfarëdolloj objekti tjetër në kërkim të bizhuterive prej floriri.

Sipas kryeplakut kjo masakër po vijon prej kohësh dhe askush nuk po bën diçka për ta ndalur. Selimaj tregon se në një rast, një prej varreve i cili u denoncua prej tij pasi u grabit prej hajdutëve të cilët harruan 2 unaza, Ministria e Kulturës e shpalli si monument kulture.

“Ky varr pasi u vodh, u grabit dhe është hapur me mjete të forta, filluan lëvizjet për ta shpallur monument kulture. Kjo pasi e vodhën hajdutët”,- shprehet ai.

Përveç grabitjeve të varreve, edhe muzeu i Amantias ka mbetur vetëm një gërmadhe dhe është kthyer në një stallë për bagëti. Vetë kryeplaku shprehet se zonën e vizitojnë shumë turistë të huaj, të cilët gjejnë varre të shkatërruara dhe dhi në atë të ashtuquajturin muze që ka vetëm një pllakë që e simbolizon të tillë. Në denoncimin e tij kryeplaku shprehet se nëse nuk merren masa brenda dy vitesh, qytetërimi antik do të zhduket. Ai apelon që zona të ruhet si dhe të nisin kërkimet arkeologjike sa më parë me qëllim për ti dhënë zonës vlerën e merituar.

Amantia është një prej qytetërimeve më të lashta të Jugut të Shqipërisë. Qyteti ka pasur mijëra banorë dhe ishte ndër të paktët që në atë kohë krijuan dhe monedhën e tyre.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: