E ftuar ne emisionin e mëngjesit “7 pa 5” në “Viz ion Plus”, zv/ambasadorja e Republikës Federale e Gjermanisë në Shqipëri, Anke Holstein shpjegoi procedurat që duhet të ndjekin qytetarët shqiptarë për tu punësuar në Gjermani. Prej 1 janarit 2016 sipas rregullores së re për vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë dhe Shqipëria, shtetasit shqiptarë kanë të drejtë të aplikojnë për punë në Gjermani sipas ligjit gjerman. Për vendet e punës në Gjermani kanë përparësi shtetasit gjermanë, shtetasit e Bashkimit Evropian. Shtetasit shqiptarë duhet të gjejnë një vend pune në Gjermani, të lidhin një kontratë pune. Kontratën (origjinale) dhe dokumente të tjerë i dorëzojnë në Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe maksimumi për dy javë marrin përgjigje. Gjatë tre muajve të parë kanë aplikuar 600 persona, nga të cilët 200 aplikime janë pranuar, 100 janë refuzuar dhe pjesa tjetër është në shqyrtim. Gjuha gjermane nuk është kusht. Shtetasit shqiptarë mund të shkojnë në Gjermani të lidhin kontratën e punës. Shtetasit shqiptare duhet të marrin vetë përsipër akomodimin dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet gjatë kohës së punësimit të tyre në Gjermani.

SI TE APLIKONI
Pavarësisht dyndjes së emigrantëve dhe kërkesave të shumta për azil, Gjermania është një vend që ofron vende pune për punësim ligjor nga vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave dhe Shqipëria. Ministria e Çështjeve Ekonomike dhe ajo e Punës kanë hapur portalin make-it-in-germany për t’i mundësuar të gjithë punëkërkuesve të orientohen më lehtë nëse kërkojnë punësim legal në Gjermani. Po kështu, edhe Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar një udhëzues se si aplikohet për vende të ndryshme pune, si doktorë, inxhinierë, infermierë, matematicienë etj. Në portalin përkatës shihet se së paku 5 mijë doktorë të kualifikuar kërkohen për të punuar në klinikat anembanë Gjermanisë.

AMBASADA NE TIRANE
Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar një udhëzues për të gjithë ata persona që janë të interesuar të punësohen me dokumente të rregullta në Gjermani. Sipas tij, personat që mund të punësohen me dokumente të rregullta ndahen në dy kategori: Ata që kanë një vend të garantuar pune nga punëdhënësi e që përmbushin kushtet për një lëshim vize dhe ata që kanë kualifikime të veçanta pune. Kështu, ata persona, që tashmë e kanë të garantuar vendin e punës mund të përshpejtojnë procedurën e vizës, nëse punëdhënësi mund të lejojë të verifikohen rrethanat tuaja nga ana e organit përkatës në Gjermani. Nëse keni qëndruar më parë në shtetin e Gjermanisë (p.sh. me leje qëndrimi, Blue Card, leje të vendosjes, etj, ose si parashtrues kërkese azili me leje tolerimi (Duldung) ose me leje qëndrimi), atëherë punëdhënësi juaj duhet t’i drejtohet organit për nënshtetasit e huaj me kompetencë rajonale me një ofertë të garantuar vendi pune. Ky organ do të kryejë verifikimet përkatëse dhe nëse janë përmbushur të gjitha parakushtet, punëdhënësi gjerman do të pranojë një miratim paraprak për lëshim vize nga ky organ. Pas pranimit të tij ju mund të paraqisni një kërkesë për lëshim vize pranë ambasadës.

Nëse s’keni qenë ndonjëherë më parë në Gjermani nuk nevojitet ky miratim paraprak, por punëdhënësi gjerman i drejtohet me një ofertë të garantuar vendi pune drejtpërsëdrejti Agjencisë Federale për Punësim, e cila më pas do të kryejë verifikimet përkatëse. Pas kësaj procedure punëdhënësi pranon një miratim paraprak për lëshim vize, ndërsa ju duhet të paraqisni në ambasadë një kërkesë për lëshim vize.

PERSONAT E KUALIFIKUAR
Ndërkaq, për kategorinë e dytë saktësohet se për personat të cilët kanë kualifikime të veçanta, verifikimi i mësipërm nuk kryhet.“Nëse ju keni një diplomë universiteti dhe ju ofrohet një kontratë pune nga ana e një punëdhënësi në Gjermani për një pozicion pune, i cili përputhet me diplomimin tuaj, atëherë është e mundur që ju të merrni një të ashtuquajtur “Blaue Karte EU” (Karta Blu e BE-së). Në lidhje me këtë së pari duhet të verifikohet se a mund të krahasohet diplomimi juaj universitar me një diplomim nga një universitet në shtetin e Gjermanisë.

Po ashtu kusht është paga minimale vjetore bruto prej 49.600 euro. Në qoftë se ju keni një diplomë universiteti në një profesion pune, për të cilin aktualisht ka kërkesë të lartë në shtetin e Gjermanisë (studiuese/ studiues i shkencave natyrore, matematiciene/ matematicien, inxhiniere/inxhinier, mjeke/mjek dhe profesionistë me shkollim të lartë për teknologjinë e informacionit dhe komunikacionit) dhe njëherazi ju ofrohet një kontrate pune, atëherë ju mund të aplikoni për “Blaue Karte EU” – (Kartën Blu të BE-së) prej një page minimale vjetore 38.688 euro”, thuhet në broshurë, ndërsa saktësohet se personat që kanë Kartën Blu të BE-së kanë mundësi që pas një qëndrimi 33 muajsh, respektivisht pas vërtetimit të njohurive të mjaftueshme mbi gjuhën gjermane pas 21 muajsh, të marrin një leje vendosje. Sa i takon kualifikimeve profesionale, aktualisht janë radhitur mbi 130 profesione pune, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë dhe të kujdesit mjekësor, në profesione si: Megatronikë dhe elektricist, ndërtimtari dhe profesione të tjera teknike, si edhe profesione nga sektori i komunikacionit rrugor dhe i logjistikës.

“Në qoftë se ju keni një prej këtyre profesioneve dhe njëherazi posedoni një ofertë të garantuar vendi pune, ju mund të merrni një vizë për fillimin e një marrëdhënie pune dhe atë në qoftë se Agjencia Federale e Punësimit vërteton faktin, që rrethanat e punësimit tuaj në atë vend pune I përkasin rrethanave të njëjta të punëmarrësve tjerë me prejardhje gjermane. Për aplikimin për leje qëndrimi duhet të verifikohet gjithashtu, nëse kualifikimi juaj profesional është i krahasueshëm me një kualifikim profesional pune përkatës në shtetin e Gjermanisë”, thuhet në broshurë, ndërsa saktësohet se informacionet në lidhje me këtë ju mund t’i gjeni në gjuhën gjermane dhe në gjuhën angleze në faqet e internetit: www .anerkennungindeutschland. de dhe www.-berufliche- anerkennung.de.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: