Ambasada e Izraelit në Shqipëri, me sponsorizimin e Birrës Korça, zhvilloi episodin e dytë të “Tirana Beer Tech”, një koncept i veçantë që ka për synim kryesor mbledhjen e komunitetit të entuziastëve të teknologjisë, start-up, sipërmarrjes e shumë fushave të tjera që integrojnë teknologjinë në përditshmërinë e tyre.

Episodi i dytë i Tirana Beer Tech u zhvillua në mjediset e Qendrës Ten, ku folëse kyçe e evenimentit ishte ekspertja e kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain, Denisa Kele. Zhvillimet më të fundit të kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain ishin pjesë e ligjërimit të ekspertes Kele, tema të cilat u shoqëruan edhe me diskutime, debate dhe argumente mjaft tërheqëse për publikun.

Episodit të dytë të këtij evenimenti të veçantë iu bashkuan përfaqësues nga media, pushteti vendor e qendror, specialistë të huaj të industrisë, dhe studentë. Nën shoqërinë e freskisë së Birrës Korça, pjesëmarrësit në episodin e dytë të Tirana Beer Tech sfiduan temperaturën e nxehtë në një pasdite të këndshme pranë Qendrës Ten, ku nuk mungoi zgjerimi i network, bashkëbisedimet, shpalosja e ideve të reja, dhe propozimet drejt Ambasadës për episodet e ardhshme të Tirana Beer Tech.

Birra Korça dhe Hysenbelliu Group janë në përkrahje të evenimenteve të tilla, ku synim kryesor është zhvillimi i komunitetit në përgjithësi, dhe rinisë së prirur drejt teknologjisë dhe inovacionit në veçanti.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb