TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është në dijeni të ndonjë takimi të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe zyrtarëve të FBI-së. Kështu ka deklaruar ambasada e SHBA-ve në Tiranë, në një reagim për Neës24.

“Nuk jemi në dijeni të ndonjë takimi të planifikuar midis Z. Llalla dhe zyrtarëve të lartë të FBI-së ose DEA”, thuhet në reagim.

Ndërkohë që ambasada rithekson faktin se procesi i mohimit të vizave aplikohet edhe për prokurorët.

“Më tej, është e sakte se procesi i mohimit të vizave për zyrtarët e korruptuar aplikohet edhe për prokurorët dhe vazhdon”, deklaron ambasada e SHBA.

Mediat raportuan dje se Kryeprokurori Adriatik Llalla ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të zhvillojë takime me drejtuesit e Byrosë Federale të Hetimit, ndërsa në fokusin të takimeve do të jenë lufta kundër terrorizmit, financimi i tij, byroja e hetimit, SPAK-u dhe krimi i organizuar.

Llalla së bashku me drejtoreshën e Marrëdhënieve me Jashtë Rovena Gashi dhe drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, kanë udhëtuar në drejtim të Uashingtonit, me qëllim marrjen e një sërë takimeve me krerët më të lartë të investigimit në SHBA.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: