TIRANË- Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar se Byroja e Çështjeve Konsullore në Departamentin Amerikan të Shtetit aktualisht është duke pasur disa probleme teknike me sistemet e lëshimit të pasaportave dhe vizave.

Ky problem nuk ka të bëjë me ndonjë vend të veçantë, me ndonjë dokument nënshtetësie, apo kategori vizash.

“Aplikimet për pasaportë Amerikane që janë pranuar në Ambasadën tonë në ose pas datës 26 maj 2015, janë të prekura nga kjo vonesë. Nëse ju keni aplikuar për një pasaportë Amerikane gjatë kësaj kohe dhe keni plane për të udhëtuar brenda 10-15 ditëve në vijim, ju lutemi kërkoni një pasaportë emergjence në Ambasadën tonë. Informacion se si të aplikoni për një pasaportë emergjence mund të gjendet në faqen tonë të internetit’, njofton ambasada.

Sakaq, nga kjo vonesë janë prekur edhe aplikimet për viza amerikane të bëra në ose pas datës 8 qershor 2015.

“Aplikantët për viza jo-imigruese që nuk kanë paraqitur aplikimin DS-160 përpara datës 9 qershor 2015, duhet të caktojnë takimin për intervistë përsëri. Individët që kanë emergjencë për të udhëtuar duhet të kontaktojnë në adresën e postës elektronike ([email protected]), njofton ambasada.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka pezulluar përkohësisht caktimin e takimeve të reja për viza derisa të zgjidhen problemet teknike. Ndërsa ata që kanë caktuar takimin duhet të paraqiten për intervistë ditën e caktuar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: