TIRANË

Ambasada italiane ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të opozitës së bashkuar në Tiranë.

Ambasada thotë se mbështet të drejtën qytetare për të protestuar, ndërsa shton se demonstratat duhet të jenë jo të dhunshme. Në njoftim theksohet se protestat duhet të jenë paqësore, e të mos ketë dhunë.

Njoftimi i ambasadës italiane në Tiranë:

Ambasada Italiane në Tiranë respekton dhe mbështet të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, por vazhdon të theksojë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ambasada italiane në Tiranë shpreh shqetësim të madh për episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Çdo akt i dhunshëm ose ndonjë formë e nxitjes ndaj dhunës nuk është e tolerueshme në asnjë rrethanë.

Është përgjegjësi e organizatorëve të sigurojnë që ngjarjet të mbahen në siguri, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë eskalimi gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve ose ndonjë objekti tjetër i projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm. Në këtë kontekst, autoritetet e sigurisë publike kanë përgjegjësinë të vazhdojnë të veprojnë me moderim, edhe nëse provokohen.

Ambasada italiane në Tiranë u kërkon të gjitha palëve që të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e Shqipërisë në procesin e reformave.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb