Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kroaci, z. Riza Poda dha një pritje në hotel Sheraton në Zagreb. Në pritje morën pjesë Zv/kryeministri dhe Ministri i Infrastrukturës, z. Oleg Butkovic, Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë z. Gordan Grlić Radman, Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë, Kryetari i Komisionit të Politikës se Jashtme të Parlamentit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura, Këshilltarët diplomatikë të Presidentit dhe Kryeministrit, Kryetarja e Grupit parlamentar të Miqësisë Kroaci -Shqipëri, deputetja Ermina Lekaj, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit qendror e lokal, përfaqësues të klerit, personalitete të botës akademike e kulturore, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.
I ftuar nderi ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë z. Gordan Grlić Radman.
Himni Kombëtar i Shqipërisë u interpretua nga tenori i shquar Kastriot Tusha, himni kombëtar i Kroacisë u interpretua nga baritoni i shquar kroat Ronald Braus.
Në fjalën e tij Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zagreb, z, Riza Poda ndër të tjera theksoi rëndësinë për kombin shqiptar të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë 110 vjet më parë. Ai përshëndeti dhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kroaci, të cilat në vite kanë shënuar rritje të qëndrueshme në fushën politike, ekonomike e kulturore, janë shkëmbyer vizita të ndërsjellta të niveleve më larta shtetërore e parlamentare. Ai vuri në dukje integrimin shumë të mirë të komunitetit shqiptar në Kroaci, i cili ka shoqatat e veta të njohur zyrtarisht nga shteti kroat, si dhe deputetë në parlamentin e kroat.
Ambasadori Poda vlerësoi posaçërisht mbështetjen e Kroacisë për proceset integruese të Shqipërisë në BE.
Ministri i Jashtëm Kroat, z. Gordan Grlić Radman, duke përshëndetur në emër të kryeministrit Andrej Plenkovic, i vlerësoi strategjike marrëdhëniet mes dy vendeve, gjë që konfirmohet nga dialogu politik dinamik mes dy vendeve në të gjitha nivelet. Ai vlerësoi angazhimin e fortë të Shqipërisë në proceset integruese evropiane dhe siguroi se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë progresin e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për të çuar përpara reformat integruese evropiane.
Vallet tradicionale nga treva të ndryshme të Shqipërisë, të performuara nga dy valltarët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve te Shqipërisë ardhur nga Tirana i dhanë më shumë gjallëri festës, ato u duartrokitën nga të pranishmit, një pjesë e të cilëve u përfshinë në valle.
Festa u shoqërua edhe me gatime e pije tradicionale shqiptare të përgatitur nga komuniteti shqiptar në Kroaci.
Në sallën ku u organizua pritja ishte hapur dhe një fotoekspozitë me pamje nga qytete të ndryshme të vendit që pasqyrojnë Shqipëria historike, turistike si dhe ndryshimet e shënuara vitet e fundit, e cila u ndoq me interes nga të pranishmit.