TIRANE- Ambasada gjermane në Tiranë ka deklaruar se këtë javë në vendin tonë do të mbërrijnë nga Gjermania dy avionë charter me azilkërkues shqiptarë. Ditën e mërkurë dhe të enjte priten që të mbërrijnë në Shqipëri dy avionë. Të mërkurën, më 12.08.2015, ora 15.50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli një avion charter me një numër prej 70 shqiptarësh të dëbuar, ndersa të enjten, më 13.08.2015, ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe një tjetër avion charter me një numër prej 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht.

“Nuk ka azil ekonomik dhe ata që janë do të kthehen, ndërsa shpenzimet për kthim do të bëhen nga vetë azilkërkuesit”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.

Më tej, në njoftimin e ambasadës thuhet:
“Në Gjermani nuk ka azil ekonomik! Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”.

Për vetëndërgjegësim ambasada ka postuar edhe e-mailin e një familjeje shqiptare, që ka mbërritur në adresën e ambasadës më 6 gusht nga një familje shqiptare, e cila ka kërkuar azil në Gjermani:

“Përshëndetje,
ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Eisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thonin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb