TIRANE

Ambasada Turke në Shqipëri ka shtruar iftar në Tiranë në Sheshin Nënë Tereza për besimtarët myslimanë me rastin e muajit të begatë të Ramazanit. Iftari u mundësua në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe me Institutin Yunus Emre dhe morën pjesë ministrja e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Turqi Ilir Beqja, zyrtarë të nivelit vendor si dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme në vend.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük në fjalën e tij vuri theksin në muajin e bekuar të Ramazanit për të frymëzuar që të jemi më vigjilentë ndaj ngjarjeve që po ndodhin në ditët tona. Ai theksoi se Ramazani do të thotë dashuri dhe sinqeritet dhe se ne mund të bëjmë që ky muaj i shenjtë të arrijë qëllimin e vërtetë, duke mos harruar t’i buzëqeshim, të tolerojmë e të respektojmë njëri-tjetrin.

“Për fat të keq, po kalojmë një periudhë të vështirë, ku njerëzimi po mbahet larg tolerancës dhe mirëkuptimit dhe ku dallimet apo diversitetet, të cilat jane pjesë përbërese e trashëgimisë sonë globale po kthehen në objekt konfliktesh. Sulmet terroriste që ndodhën në muajt e fundit në Zelandën e Re dhe në Sri Lanka, veçanërisht sulmet brutale kundër xhamive në SHBA, Kanada si dhe në Europë, na tregojnë madhësinë e kërcënimit të paraqitur nga ky konflikt.

Fatkeqësisht shohim se fenomene si anti-islamizmi, antisemitizmi, antikrishtërimi, anti-emigracioni po ndikojnë gjithë botën. Dhe për fat të keq partitë politike të krahut ekstrem të djathtë, populiste dhe polarizuese që përdorin këtë gjuhë urrejtjeje depërtojnë në qendër të politikës. Ata i udhëheqin masat e papërgjegjshme drejt qëllimeve konfrontuese dhe jondërtuese. Por le të mos harrojmë se për sa kohë që ne jemi të bashkuar do të forcohemi kundër këtyre fenomeneve çdo ditë e më shumë”.

Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit institucione të ndryshme turke kanë shtruar iftare vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe kanë dhuruar pako për familjet në nevojë në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb