Ambasadat e huaja në Shqipëri, nuk do të ruhen të gjitha nga Policia e Shtetit. Policia e shtetit ka vendosur që uniformat blu në disa prej ambasadave të zëvendësohen nga punonjësit e “Illyrian Guard”, që është shoqëri tregtare shtetërore e cila ofron shërbime me pagesë dhe ka aksioner të vetëm Ministrinë e Brendshme.
Duke qenë se ambasadat janë institucione të rëndësisë së veçantë, në nenin 2, 17 dhe 22 të ligjit për policinë e shtetit thuhet qartë se ato ruhen nga policia e shtetit. Nisur nga perplasjet me ligjin dhe refuzimin e shumë prej ambasadave, gjatë këtyre diteve policia e shtetit dhe përfaqësues të disa ambasadave të huaja po bisedojnë për të dakortësuar çështjen e sigurise se tyre. Një prej pikave që për të huajt është e vështirë që ambasadat t’i besojnë sigurinë “Illyrian Guard” është fakti që forcat e saj nuk janë të armatosura.
News24 ka mësuar se “Illyrian Guard”, me 1000 punonjës dhe me administrator Henrik Elmazin ka marrë në ruajtje me shumë se 15 institucione si QSUT, Materniteti i Ri, Kadastra, ADISA, UKT, si edhe disa ministri, objekte këto të ruajtura deri me tani nga shoqëri private të sigurisë fizike që operojnë në treg.
Po si do të përcaktohet ënse një ambasadë do ruhet nga policë të shtetit Apo të “Illyrian Guard”? Policia do të veprojë në reciprocitet. Ambasadat e vendeve ku përfaqësitë tona ruhen me punonjës policie, edhe në shqipëri do të kenë të njëjtën siguri. Në rastet e tjera është propozuar që të ruhen nga punonjësit e shoqërisë shtetërore “Illyrian Guard”.
Propozimi ka gjetur kundërshtinë e ambasadave e huaja të vend. Disa prej tyre madje kanë paralajmëruar se nëse hiqet policia e shtetit, janë të gatshme të sjellin në shqipëri forca policie nga vendet e tyre. Ndryshimet në mënyrën e ruajtjes së sigurisë së ambasadave do të duken qartë së shpejti në rrugën e ashtuquajtur “rruga e ambasadave”, e cila që prej një nëntorit do të jetë publike dhe jo me qarkullim të kufizuar siç ka funksionuar për vite.