Sot është dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka dedikuar një mesazh kësaj dite. Ndalimi i dhunës kundër grave dhe vajzave nuk është opsional, është detyrim, obligim për çdo qytetar e shoqëri.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtë të Shqipërisë bashkon zërin me të gjithë ata që inkurajojnë gratë që të flasin dhe të raportojnë gjithë aktet e dhunës ndaj tyre”, shkruan ajo në “Twitter”.

Nga një kërkim i vogël në përfaqësitë tona jashtë vendit për të parë sesi është e përfaqësuar gruaja shqiptare në këto nivele por dhe në stafin drejtues të kësaj ministrie bie në sy se një numër jo i vogël ambasadash në vende të rëndësishme madje drejtohen nga zonja.

Kështu, Shqipëria përfaqësohet me Ambasadore në Washington me znj.Floreta Faber, në UNESCO është një tjetër zonjë, Besjana Kadare. Për të vijuar me disa shtete në Europë si misioni në BE që drejtohet nga Suela Janina, ambasada shqiptare në Holandë e cila drejtohet nga Adia Sakiqi, Danimarka ku përfaqësohemi me ambasadore Elida Petoshatin, misioni në Strasburg ku vendi ynë përfaqësohet me Albana Dautllarin dhe Polonia me Shpresa Kuretën.

Greqia, një vend fqinj dhe me një rëndësi jo të vogël për shkak të numrit të lartë të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, por dhe çështjeve ende në diskutim, i është besuar një tjetër zonjë, Adriana Hobdarit, ashtu sikurse Italia e cila gjithashtu ka një prezencë të lartë shqiptarësh dhe ndërveprim të madh dhe që drejtohet nga Anila Bitri.

Por, ambasadoret e Republikës së Shqipërisë nuk janë vetëm këto, Enkeleda Mërkuri në Sllovaki dhe së fundi është shtuar listës Donika Hoxha, përfaqësuese në Bullgari.
Gra drejtuese të Ministrisë se Jashtme i shtohen dhe Konsullet e Përgjithshme si ajo e Milanos Anila Pojani dhe konsullja e Përgjithshme në Selanik Pavlina Evro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb