Ambasadorët austriakë të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e SPAK-ut në Tiranë, ku siguruan mbështetje për reformën në drejtësi dhe rolin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Austria ka theksuar angazhimin e saj për perspektivën e Shqipërisë në BE. Po ashtu, shteti austriak vë theksin tek rëndësia e pavarësisë së SPAK-ut në forcimin e shtetit të së drejtës.
Postimi i ambasadës austriake në Tiranë:
Pak muaj më parë u hap rruga për negociatat gjithëpërfshirëse të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Austria është qartazi e përkushtuar ndaj perspektivës së Shqipërisë në BE dhe po mbështet, ndër të tjera, zbatimin e reformës në drejtësi. Kështu, ambasadoret dhe ambasadorët austriakë të rajonit të Ballkanit Perëndimor shkëmbyen ide edhe me përfaqësues të Strukturës së Posaçme për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë konferencës së tyre në Tiranë.
Pavarësia e SPAK-ut në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
(Balkanweb)