Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani përmes një reagimi në “Facebook” ka komentuar situatën politike në vend, ku kryefjala mbetet ‘JO’-ja e Bashkimit Europian për mos çeljen e negociatave për Shqipërinë. Manjani thekson se që nga periudha e liberalizimit të vizave, vendi ynë është në regres.

Ai tha se politika në tërësi dhe kryeministri Edi Rama në veçanti kanë bërë çmos që të vonohej momenti i çeljes së negociatave për anëtarësim.

REAGIMI
Kush ka mend në kokë e sy në ballë duhet të jetë në gjendje të kuptojë se nga liberalizimi i vizave për ne e deri më sot, jemi në REGRES.
Dmth Europa që ulet me ne në NATO dhe na pranon pa viza, sot nuk është gati as të ulet në bisedime me ne?!
Ky quhet regres! Regres i ardhur nga ne vetë.
Politika në tërësi dhe Edi Rama në veçanti kanë bërë çmos që të vonohej momenti i çeljes së negociatave për anëtarësim.
Vonesa për marrjen e statusit kandidat dhe më tej, vetëkushtëzimi për Reformën në Drejtësi si shpikje shqiptare ishin ngjarje të rënda që vonuan çdo gjë në mënyrë të palogjikshme.
Shpesh themi që X apo Y ambasador bënë këtë apo atë gjë. Jo jo, e kemi bërë me vetë të gjithën, me qëllimin e dukshëm që të fitohet pushteti. Ambasadorët që zbuluan parasjën mbi tokë, bënë vetëm detyrën ndaj CV të tyre duke futur në agjenda ndërkombëtare gjera që Qeveria e 2013 i kërkoi me insistim.
Natyrisht çdo gjë u bë për interesa të brendshme pushteti. Ja ku është dhe fundi i kësaj logjike. Një shtet me super pushtet, por në defiçit të thellë demokratik, institucional dhe ekonomik.
Për këtë regres ka vetëm një Përgjegjës të drejtpërdrejtë: Edi Ramën.
Sigurisht ka edhe përgjegjës të tjerë që e pranuan dhe lejuan këtë situatë, ku më e para është LSI dhe veçanërisht Ilir Meta. (Pa dyshim nuk përjashtoj as veten, për aq sa më takon, nga kjo përgjegjësi) Kjo na ka ndodhur dhe s’kemi përse të kërkojmë lart e poshtë fajtorët….
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb