SERBI

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott është shprehur se kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, për të cilën do të duhet të arrijnë Beogradi dhe Prishtina.

“Demarkacioni duhet të jetë i qartë dhe duhet të jetë pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfshijë, ndër të tjerash edhe çështjen e pronave, të drejtat e komunitetit serb, operacionet e pagesave, personat e humbur,…”, ka thënë Scott, shkruajnë mediat serbe.

“Gjithçka duhet të jetë në një vend. Duhet të ketë një marrëveshje të gjerë brenda së cilës duhet ta dini se çfarë është e imja, cila është e jotja, ku është vija midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë tutje Scott.

Këtë ai e ka ilustruar me shembullin që, kur blen një hartë gjeografike të Serbisë në një librari amerikane, ndryshon shumë nga harta që blen në Beograd.

Ndërsa i pyetur se cila është harta e vërtetë, Scott, ka thënë se për Shtetet e Bashkuara kanë parasysh hartën me kufijtë që Kosova ka pasur si një krahinë autonome, duke shtuar se shtetet sovrane mund të vendosin për kufijtë e tyre, dhe se për SHBA-të, Serbia dhe Kosova janë vende sovrane.

Ambasadori amerikan në Serbi është pyetur edhe për përgjigjen që mund të marrë presidenti amerikan Donald Trump nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Scott thotë se përgjigja është e njohur tashmë për shkak se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për heqjen e taksave.

“Presidenti Trump tha në një letër për Vuçiç se ai beson se kemi mundësinë për të arritur një marrëveshje dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë, ndryshe do të ishte për keqardhje”, është shprehur Scott.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb