TIRANE – Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, në një intervistë të dhënë dje për Tema TV flet për zhvillimet politike në vendin tonë, reformën në drejtësi, nismat e qeverisë, etj.
Z.Ambasador! Reforma në drejtësi është çështja kryesore që po dominon skënën e debateve politike për muajt e fundit. Ju jeni shprehur se “brenda gjyqësorit ka një kastë gjyqtarësh të korruptuar që veprojnë në grupe dhe nën dritën e diellit, e për këtë krenohen, duke blerë e shitur drejtësi. Janë rreth 100 të tillë në gjyqësorin shqiptar, një hetim i fortë në këto kushte është bërë i pashmangshëm”. A mund të na thoni më shumë, si nga vjen ky informacion për këta 100 gjyqtar, nga kush është hartuar lista?
Qartësisht nuk është roli i ambasadës të kryejë hetime apo të hartojë lista të tilla. Ky vlerësim vjen nga një sërë bisedash brenda sistemit gjyqësor. Mirëpo, askush nuk më ka thënë që ky vlerësim është i pasaktë dhe mendoj se ka një konsensus që kjo është një nga format e problemit me të cilin shqiptarët por edhe ndërkombëtarët përballen sa i përket sistemit gjyqësor.
Sa mendoni se politika dhe drejtësia do të bashkëveprojnë për të thyer muret e korrupsionit që po e mbajnë peng zhvillimin e Shqipërisë?
Ka padyshim një lidhje mes korrupsionit në sistemin politik dhe atij në gjyqësor. Këtu e kam fjalën jo vetëm për korrupsionin në kuptimin e tij më të qartë, por edhe për shkëmbimin e influencave në të dyja drejtimet. Kjo është diçka që duhet të ndryshojë dhe ju keni të drejtë kur thoni se është shumë e vështirë ta shkëputësh këtë lidhje pasi ka njerëz në të dyja anët që duan ta përdorin për interesat e veta. Unë mendoj se pa reformën në drejtësi, Shqipëria nuk mund të përparojë më tutje si përsa i takon zhvillimit kombëtar, por edhe anëtarësimit në BE. Deri më tash, vendi e ka patur të mundur të ecë përpara deri në një farë mase, por tanimë Shqipërisë vërtetë i nevojitet një gjyqësor i pavaruar dhe i çliruar nga kapja politike dhe kjo është koha e duhur për t’i adresuar këto probleme.
Tashmë ka një draft të ekspertëve të nivelit të lartë si dhe opinionet e ekpsertëve të dy partive, PS dhe LSI. Ju e keni ndjekur ecurinë e këtij drafti. Ju duket se është më i miri i mundshëm për të çuar deri në fund reformën në drejtësi në Shqipëri?
Mendoj se ky është një draft shumë i mirë, është një dokument i plotë. Disa nga ekspertët më të mirë ligjorë në Shqipëri, të asistuar edhe nga misionet e huaja si për shembull OPDAT i SHBA-ve dhe Euralius i BE-së kanë punuar për një kohë të gjatë për hartimin e tij. Gjithashtu ka patur komente shumë interesante e të vlefshme nga opozita dhe nga Ministria e Drejtësisë dhe natyrisht edhe nga vetë Komisioni i Venecias. Kështu, ndonëse nuk ka asnjë reformë që të jetë e përsosur, në tërësinë e këtyre komenteve mendoj se ka material të mjaftueshëm për ta vendosur këtë reformë në drejtimin e duhur. Por si me çdo reformë tjetër, çelësi është zbatimi. Pra, nuk është thjesht çështje e miratimin të legjislacionit të duhur e më pas të harrohet; ajo duhet të zbatohet dhe të kthehet në realitet ligjor e politik.
Duket se ka pasur dhe ka përpjekje për ta zvarritur reformën në drejtësi pasi mungon konsensusi politik ndërkohë që ka zëra nga politika se pa konsensus nuk do të ketë reformë në drejtësi. Mendoni se ka pjesë të politikës që i tremben kësaj refome? Sa besoni ju se kjo reformë në drejtësi do të mund të të shkojë deri në ndëshkimin e njerëzve me profil të lartë politik në Shqipëri?
Është e vërtetë që klasa politike ka shfaqur shqetësime në lidhje me këtë reformë. Disa prej tyre janë shqetësime të ligjshme, ndërsa të tjera pasqyrojnë interesa personale. Ka dy teori rreth këtij procesi. E para është që ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj janë në një pozicion më të mirë për të hartuar dokumentin ideal. Mirëpo, është po ashtu e vërtetë se një reformë kushtetuese duhet t’i nënshtrohet debatit politik. Pra, është e arsyeshme që palët të dëshirojnë të thonë fjalën e tyre sa i përket funksimit të reformës. Është një debat i ligjshëm. Nga njëra anë ka njerëz që mendojnë se duke qenë se kjo është një reformë e rëndësishme duhet t’i kushtojmë kohën e duhur diskutimit të saj. Por nga ana tjetër, së pari duhet ruajtur ritmi i reformës; me të ngadalësuar apo ndaluar ritmin, atëherë do të jetë shumë e vështirë për t’ia rinisur punës sërish. Së dyti, ka kufizime që lidhen me ciklin politik. Është shumë e vështirë të diskutosh për çështje të një rëndësie të tillë gjatë një periudhe zgjedhore. Vetë cikli zgjedhor imponon një lloj ritmi dhe ambicieje për miratimin e reformës në drejtësi brenda verës së këtij viti, çka krijon një presion kohor. Për ndërmarrjen e reformave të këtyre përmasave sigurisht që nevojitet një përfshirje e debat sa më i gjerë i mundshëm. Duhet thënë se që nga fillimet e saj, kjo ka qenë një reformë parlamentare, pra e hapur ndaj të gjitha palëve. Thënë kjo, një reformë nuk duhet bllokuar për arsye politike që nuk kanë të bëjnë me vetë reformën.
Kanë kaluar pesë vite prej 21 janarit, dita kur u vranë në shesh katër protestues, në protestën kundër qeverisë së atëhershme. Kjo çështje është produkt i mungesës së drejtësisë në Shqipëri dhe ata që do të duhet ta bëjnë reformën në drejtësi janë të implikuar edhe në këtë ngjarje..?
Ajo çka ndodhi më 21 janar ishte një ndër ngjarjet më tronditëse dhe tragjike në historinë e vonë të Shqipërisë dhe është e rëndësishme që hetimi t’i shkojë ngjarjeve deri në fund, për të kuptuar si ndodhi, për të zbuluar personat përgjegjës dhe pastaj për të ndërmarrë veprimet e duhura. Është e rëndësishme pjesërisht sepse familjarët e atyre që humbën jetën, me të drejtë kërkojnë që drejtësia të vihet në vend për të dashurit e tyre. Por hetimi i çështjes është i rëndësishëm gjithashtu për të garantuar që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Këto ngjarje mund të shmangen vetëm nëse çështjes i shkohet deri në fund, nëse ka një hetim rigoroz dhe nëse përcaktohet përgjegjësia për çka ndodhi. Edhe pas pesë vitesh, 21 janari mbetet një ngjarje aktuale, e cila duhet adresuar në kohë.
Sa besoni se ligji për dekriminalizimin do ta pastrojë politikën dhe administratën?
Legjislacioni në lidhje me këtë është një hap në drejtimin e duhur. Më është dukur gjithnjë i pavend fakti që persona të dënuar për krime të rënda janë për shembull, në krye të bashkive. Por ligji në vetvete nuk mendoj se është zgjidhja. Ky është më së shumti një problem politik dhe jo ligjor. Mendoj se problemi me kriminalizimin e politikës do të zgjidhet kur partitë të mos propozojnë më kandidatë me rekorde kriminale. Dhe ky është një vendim politik, nuk lypset një ligj për të mos e bërë këtë. Në mënyrë të ngjashme, edhe zgjedhësit nuk duhet të votojnë më për kandidatë të tillë. Si shtetas shqiptarë, në rast se ju ofrohet një kandidat me rekorde kriminale, ju nuk keni pse votoni për të. Pra, në një kuptim është një çështje politike më shumë sesa ligjore.
Një ndër problemet thelbësore të Shqipërisë në këto 25 vite, është çështja e pazgjidhur e pronave. Ju shpesh jeni shprehur për domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi. Tashmë ka një ligj të miratuar nga Kuvendi. Nëse jeni në dijeni ju duket se ky ligj e zgjidh çështjen e pronave në Shqipëri, për t’i hapur më pas rrugë investimeve të huaja përfshi këtu edhe ato britanike?
Nuk jam i sigurt që ky ligj do sjellë zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave, e cila është një çështje shumë e ndërlikuar dhe e vështirë, trashëguar nga diktatura dhe që nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë të mirëfilltë. Megjithatë kjo çështje është thelbësore për thithjen e investimeve të huaja në vend, kryesisht në fusha si turizmi. Fakti që kjo çështje po shqyrtohet dhe se legjislacioni në lidhje me të po ecën përpara është pozitiv, por mbeten ende gjëra për t’u bërë; ligje dhe institucione të tjera, implementimi por mbi të gjitha një seri vendimesh të drejta në këtë fushë. Kjo do të kishte një efekt shumë të madh në tërheqjen e investimeve të huaja në sektorë kyç si turizmi dhe bujqësia.
Mediat britanike kanë shkruar rreth një teme delikate siç është ajo e financimit të ISIS duke aluduar për përfshirje të Shqipërisë në këtë proces. Konkretisht “Daily Mirror” kishte një një artikull mbi kanabisin e Lazaratit i cili shkon për financimin e xhihadistëve. Besoni ju se mafia shqiptare është përfshirë në rrjetin e xhihadistëve. Ka të dhëna për këtë?
Gazetarët që përgatitën artikullin e “Daily Mirror” nuk kanë kërkuar informacione nga ambasada jonë apo nga autoritete të tjera britanike. Nëse do të na kishin pyetur, do t’u kishim thënë se ne nuk dimë të ketë një lidhje ndërmjet trafikimit të narkotikëve dhe ekstremizmit fetar këtu në Shqipëri. Sigurisht, ne nuk kemi monopol mbi informacionin, por shumë prej të dhënave në artikull dukej se i referoheshin komentuesve maqedonas. Nuk jam i sigurt nëse këto burime kanë tagrin e duhur për të komentuar mbi këto çështje në Shqipëri në mënyrë të saktë. Jam në dijeni të reagimeve të Ministrit Tahiri dhe Drejtorit të Policisë, Çako, të cilët i kanë përgënjeshtruar këto thënie dhe deklaratat e ngjashme në shtypin italian në mënyrë të vendosur. Shqipëria është një vend i vështirë dhe nuk është e lehtë për gazetarët të fluturojnë nga Londra dhe të kuptojnë gjithçka në dy ditë. Mendoj se kjo ka qenë ajo çka ndodhur në këtë rast.
Sa efeketive ju duket kjo qeveri në përpjekjet për të realizuar reformat për të cilat u votua më 23 qershor. Sa besoni ju se Edi Rama është një kryeministër reformator?
Mendoj se qeveria ka një mandat të fortë reformash. Programi zgjedhor i qeverisë ishte më së shumti një program reformash, jo më kot i quajtur “Rilindje”. Është e qartë që publiku pret nga qeveria të ndërmarrë reforma. Është gjithashtu e qartë se ka patur reforma të mirëfillta në një sërë fushash të rëndësishme për shembull reforma në arsimin e lartë, ajo e qeverisjes vendore, aksioni kundër informalitetit. Unë i shoh këto si reforma autentike dhe jo kozmetike. Sigurisht shumë mbetet ende për t’u bërë dhe ka një numër sfidash me të cilat qeveria përballet në shumë fusha, ndër to më e madhja reforma në drejtësi. Mendoj se janë kryer reforma autentike.
Si e vlerësoni ju aktivitetin e opozitës të drejtuar nga z.Lulzim Basha dhe çfarë ka ndryshuar sipas jush në drejtimin e kësaj partie me ndryshimin e liderëve?
Ne duhet të kuptojmë që nuk është e lehtë të jesh në opozitë, veçanërisht pas një humbjeje si ajo e vitit 2013. Të drejtosh një parti opozitare është një punë frustruese dhe e vështirë, duhet kohë për të reaguar, për të nxjerrë mësime e rimarrë veten nga një humbje zgjedhore. Unë mendoj se z.Basha ka qenë shumë energjik në kritikat ndaj qeverisë. Ai ka marrë mësime të rënda nga zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato lokale të 2015. Duhet parë nëse në 18 muajt në vazhdim do të mund të ofrojë një paketë politikash alternative tërheqëse për publikun. Përtej kësaj, duhet parë nëse ai do ta paraqesë PD-në dhe aleatët e saj si një qeverisje alternative. Kjo besoj se është sfida me të cilën ai përballet dhe çka është interesante në arenën politike shqiptare gjatë muajve në vazhdim.
Kanë kaluar 25 vite dhe politika shqiptare vazhdon të jetë e njëjta, agresive, konfliktuale, larg bashkëpunimit në funksion të interesave të vendit. A keni një mesazh për klasën politike shqiptare?
Së pari, do të thoja që konflikti politik nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe; po të keni ndjekur politikën britanike do të keni vënë re se ka më shumë konfrontim. Së dyti, në politikën shqiptare shpeshherë ka më shumë konsensus nga sa njerëzit mendojnë. Për shembull nëse konsideroni qëndrimet e klasës politike shqiptare në lidhje me anëtarësimin në BE, në lidhje me NATO-n apo me rolin e Shqipërisë në rajon ka një konsensus të gjerë nëpër të gjithë spektrin politik. Ndonëse për të nuk flitet shpesh, konsensusi ekziston dhe kjo përbën një aspekt pozitiv të politikës shqiptare krahasur me disa vende të tjera në rajon. Nuk është detyra ime t’i jap mësime klasës politike, por do të bëja dy sugjerime. Së pari, akuzat dhe deklaratat për korrupsion dhe krime bëhen shumë lehtë në këtë vend. Nëse një politikan realisht mendon se njëri nga rivalët e tij është i korruptuar, sigurisht që ai ka të drejtë të ngrejë zërin për këtë gjë. Por mendoj se përdorimi rutinë e i përditshëm i akuzave për përfshirje në aktivitete kriminale, i degradon standardet politike dhe nivelin e retorikës politike. Kjo gjithashtu shkakton zhgënjimin e publikut me demokracinë parlamentare, çka nuk është në interesin e askujt. Pra, ndoshta njerëzit duhet të tregohen disi më të kujdesshëm në përdorimin e kësaj retorike. Së dyti, në shumë vende disa çështje për të cilat kërkohet një konsensus i mirëfilltë ndërpartiak, janë larg debateve politike. Këto çështje kanë të bëjnë kryesisht me forcat e armatosura, sigurinë kombëtare ose në vendet para aderimit rreth anëtarësimit në BE. Mendoj se ndonjëherë në Shqipëri, debati rreth këtyre çështjeve ka qenë i padobishëm për vendin në tërësi. Mendoj se politikanët duhet të përpiqen të identifikojnë disa çështjesh të tilla, që nuk janë subjekt i diskutimeve politike partiake, rreth të cilave të mund të bashkohen për hir të interesit të përgjithshëm të publikut. Për shembull hapja e bisedimeve për anëtarësimin në BE është një çështje e tillë dhe them se të gjitha partitë duhet të kërkojnë konsensus në lidhje me të. Për hir të interesit kombëtar mendoj se duhen lënë mënjanë kritikat apo përpjekjet për të fituar kredi politike nga këto çështje.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: