PRISHTINË- “Trepça është aset i Kosovës dhe nuk duhet të jetë temë e dialogut teknik mes Beogradit dhe Prishtinës, por duhet të zgjidhet brenda Kosovës, duke diskutuar me të gjitha palët e interesit”, deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.

Në ligjëratën e mbajtur për studentët e kolegjit AAB, ambasadori Cliff tha se “nga kjo minierë mund të nxirren përqindje të shumta të zinkut dhe plumbit dhe se shumë ekspertë si nga Britania, Norvegjia e po ashtu edhe nga Gjermania kanë parë që Trepça edhe në të ardhmen mund të jetë aset i suksesshëm”.
Sipas tij, Trepça mund të bëhet urë politike dhe ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe kosovarëve në jug dhe serbëve në veri.

“Nuk mendoj që Agjencia e Privatizimit është udhëheqësja. Juve ju dihet një strukturë e vetme në mënyrë që i bënë bashkë pjesën veriore të Trepçës dhe pjesën jugore dhe të tërheq ndonjë partnerë strategjik nga Evropa apo nga diku tjetër, por mendoj që ka shumë iluzione në lidhje me Trepçën. Do të duhet të paktën pesë ose dhjetë vjet për të filluar të ketë kufi në Trepçë, sepse investimet në mjedis në makineri të reja janë shumë të mëdha . Trepça është në territorin e Kosovës, ajo është aset i Kosovës, gjithashtu duhet të ketë komunikim me menaxhuesit në Zveçan, kjo nuk duhet të jetë temë e dialogut teknik mes Beogradit dhe Kosovës, kjo duhet të zgjidhet brenda Kosovës, përmes procesit të diskutimit me të gjitha palët e interesit”, u shpreh ai.

Cliff po ashtu gjatë diskutimit nuk la pa përfshirë edhe ikjen e shqiptarëve në mënyrë ilegale nga vendi, duke thënë se kjo që po bëjnë këta të fundit nuk është gjë e drejtë, madje shtoi se njerëzit nga Kosova kanë ikur edhe në vitet ‘ 90-të.

Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të papunësisë, por nuk duhet të vazhdojë, pasi Kosova është në proces të integrimeve Evropiane.

Cliff tha se Britania e madhe edhe më tutje do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të njihet edhe nga ato shtete, të cilat ende nuk e kanë njohur.
Ambasadori nuk la pa folur edhe protestën e sotme, e cila është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe OJQ “Thirrjet e Nënave, duke thënë se protestat janë e drejtë e njerëzve, por nuk duhet të ndodhë që këto protesta të kthehen kundër serbëve në Kosovë.

Duke folur për historinë e Britanisë së Madhe, Cliff, tha se qëllimi kryesor i Kosovës është për t’iu bashkuar institucioneve ndërkombëtare dhe se kjo e fundit është duke marrë këshilla nga Ambasada e Britanisë në mënyrë që të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik.
(ma.ar/KosovaPress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: