TIRANË- Është mbajtur sot në Tiranë Forumi i nivelit të lartë për antikorrupsionin me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. Forumi është organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Gjatë këtij aktiviteti, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt tha se korrupsion mbetet problem serioz në Shqipëri me gjithë përpjekjet e bëra. Ai theksoi se pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që presupozohet të luftojnë korrupsionin vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative.

Borchardt foli për dëmet dhe kërcënimet që vijnë nga korrupsioni.
“Gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të adresuar çështjen e korrupsionit në vend – përmirësimi i politikave dhe kuadrit legjislativ është i dukshëm, por duhet bërë më shumë: korrupsioni mbetet problem serioz për vendin. Pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që presupozohet të luftojnë korrupsionin vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative. Progresi i qëndrueshëm në zbatimin e ligjeve dhe politikave të mirëqeverisjes duhet të ruhet, kombinuar me ndryshimet e dukshme që priten në gjyqësor”, tha ambasadori i OSBE-së.

Sipas tij, shpeshherë pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit nga shoqëria dhe rrjetet e ngushta sociale e bëjnë luftën kundër korrupsionit një detyrë të vështirë.

Por ai nënvizoi se duhet t’i kushtohet më shumë përpjekje garantimit të integritetit të zyrtarëve të zgjedhur dhe ndërtimit të një administrate publike të besueshme, funksionale dhe transparente. “Sidoqoftë, masat e ndryshme kundër korrupsionit duhet të kombinohen me incentiva të përshtatshme ekonomike për zyrtarët publikë”, theksoi kreu i OSBE në Tiranë.

Borchardt tha se 9 dhjetori është dita kur hidhet dritë mbi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe mbi efektet e tij shkatërrimtare për zhvillimin njerëzor, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

“Nuk ka vend pa korrupsion dhe ai ndikon negativisht te të gjithë ne. Korrupsioni në Shqipëri, si kudo tjetër, është një problem i ndërlikuar dhe shumëdimensional. Një mjedis i korruptuar rrit kostot e të bërit biznes, shkurajon investitorët e huaj, deformon tregjet dhe përparësitë në investime dhe dëmton besimin tek administrata publike. Ai është një kërcënim i kudogjendur, që, në manifestimin e tij më të keq, i dënon me varfëri grupet tanimë të cenueshme dhe rrit pabarazinë duke devijuar fondet nga kujdesi shëndetësor, arsimi dhe shërbime të tjera thelbësore dhe duke dobësuar në të njëjtën kohë shtetin. Korrupsioni nuk është thjesht një çështje financiare. Ai mund të çojë në mungesë të ndjeshme të stabilitetit shoqëror dhe në konflikte. Prandaj, ekziston një lidhje e qartë midis zhdukjes të korrupsionit dhe garantimit të sigurisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit afatgjatë”, u shpreh ai.

Sipas Borchardt, OSBE-ja ka marrë prej kohësh angazhimin që ta asistojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për modernizim. “Megjithatë, kjo nuk mund të zgjidhet nga veprimet e ndërmarra më vete nga qeveritë apo institucionet. Nevojitet një përfshirje më e thellë e shoqërisë civile, medias dhe komunitetit të biznesit”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.

Prezenca e OSBE-së është e angazhuar në një plan afatgjatë në luftën kundër korrupsionit dhe në promovimin e qeverisjes së mirë në të gjitha nivelet.

“Ne bashkëpunojmë vazhdimisht me institucionet shqiptare në aktivitete si monitorimi i politikave dhe rishikimi i ligjeve, forcimi i kapaciteteve përmes transferimit të njohurive, duke siguruar mjetet që promovojnë antiryshfetin dhe sjelljen e mirë mes bizneseve, duke kryer aktivitete sensibilizimi dhe edukimi të rinisë, si dhe duke nxitur një pjesëmarrje më të madhe të shoqërisë civile në proceset e konsultimit të politikave. Besoj se rivendosja e besimit të qytetarit tek institucionet duhet të jetë prioritet”, tha ai.

Borchardt u shpreh më tëj se, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është gjithmonë e gatshme t’i mbështesë autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre të përditshme në luftën kundër korrupsionit dhe në ngritjen e një administrate publike profesionale sipas standardeve ndërkombëtare.

“Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të nxis të gjithë aktorët që të përqafojnë integritetin, llogaridhënien dhe transparencën – por mbi të gjithë, të rinjtë, të cilët kanë një rol thelbësor në zhvillimin e këtij vendi, në mënyrë që e ardhmja e tyre të ndërtohet mbi themele të forta dhe të ndershme”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: