KOSOVE

Mediat kosovare raportojnë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka lënë takimin me liderët vendas duke shfaqur nervozizëm nga refuzimi i Kryeministrit Ramush Haradinaj për pezullimin e taksës dhe rifillimin e Dialogut.

Burime të RTK-së thonë se Ambasadori Philip Kosnett është ngritur demonstrativisht dhe ka përplasur derën, teksa është larguar nga takimi që kishte për qëllim diskutimin për zgjidhjen e kësaj çështje. Kjo është edhe arsyeja pse liderët kosovarë sot mbeten më gjatë në takim, e nuk dolën përnjëherë me ambasadorin e SHBA-së,

Në këtë takim me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, siç mësohet, ambasadori Kosnett ka bërë të qartë se ekzistojnë vetëm dy rrugë. E para, pezullimi i taksës, që nënkupton qëndrimin e SHBA-së përkrah Kosovës deri në fund. E dyta, vendosja e menjëhershme e sanksioneve të SHBA-së për Kosovën, që nënkupton dëmtimin serioz të raporteve mes dy vendeve. Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor, ka vendosur taksë 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Që nga ajo ditë, Kosova është duke u përballuar me presionin e SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e taksës dhe shfrytëzimin e mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb