TIRANË- Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu është takuar sot me ish-kryeministrin Sali Berisha, për të diskutuar për zhvillimet e fundit. Nga ky takim Ambasadori amerikan ka theksuar se SHBA-të nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të pretendimeve të bëra nga deputeti Doshi, por kërkoi të ketë një hetim të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm. Lu ka theksuar se pjesëmarrja e opozitës në procesin e dekriminalizimit është shumë e rëndësishme.

“Sot, Ambasadori Lu u takua me ish kryeministrin dhe deputetin e PD Sali Berisha për të diskutuar zhvillimet aktuale në politikën shqiptare. Ambasadori Lu ritheksoi mbështetjen e SHBA për dekriminalizimin nga të gjitha partitë dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja konstruktive e opozitës në këtë proces për forcimin e institucioneve demokratike. Në lidhje me pretendimet e ngritura nga Z. Doshi kundër Z. Meta, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët. Ambasadori Lu theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të këtyre pretendimeve por në vend të kësaj, të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve.

Ndërkohë Ish-kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë këtij takimi se situata në vend është tejet e rëndë, kjo sepse deputeti Doshi ka bërë akuzat më të renda ndaj kryetarit të Parlamentit se ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit Mhill Fufi. Ai tha se këto akuza, Meta, Rama, Tahiri i kanë mbajtur të fshehta apo midis tyre për 6 muaj dhe se për këto akuza ata ja besuan hetimin jo Prokurorisë së Shtetit por kryetarit të PS për Tiranën, Saimir Tahirit.

Berisha është shprehur gjithashtu se “kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, pasi u akuzua nga Doshi 6 muaj më parë, në vend që të dërgonte dosjen në Prokurori, përpunoi akuzat dhe fajësimin e opozitës duke thirrur për këtë qëllim familjarët e deputetit Fufi”. Sipas tij, “Dosja Frroku” është dëshmi tjetër e lidhjeve të qeveritarëve më të lartë me krimin dhe mbajtjen e Frrokut gjashtë muaj peng nëpërmjet saj.

“Hetimi i plotë, i pavarur e me ekspertë ndërkombëtarë është jetik për paqen dhe stabilitetin e vendit. Ky hetim, nuk mund të bëhet me të akuzuarin kryesor në postin e dyte të shtetit”, ka deklaruar ish-kryeministri Berisha gjatë takimit me ambasadorin e SHBA-ve.

Berisha theksoi se e konsideron procesin e dekriminalizimit jetik për vendin dhe se vlerëson shumë mbështetjen e SHBA në këtë proces.

“Këputja e lidhjes se pushtetarëve dhe politikanëve me krimin përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh ai. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se ndihma e SHBA është shumë e mirëpritur dhe shprehu sigurinë se opozita, siç dhe e ka shpallur, do të japi kontributin e saj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb