TIRANE– Ambasadori i Turqisë, Hidayet Bayraktar i ftuar në emisionin ‘Diplomaticus’ të gazetarit Erion Kaçorri në ‘News 24’ ka paralajmëruar për rrezikun që iu vjen shqiptarëve nga shkollat e kundërshtarit të presidentit turk Fetullah Gulen..

“Ne këto shkolla nuk i quajmë të Gulen-it por të FETO-s. Sikurse jeni në dijeni në Shqipëri ka 2 universitete, 5 medrese, 5 shkolla të quajtura kolegje dhe 1 qendër të mësimit të gjuhëve të huaja, pra gjithsej 13 shkolla të FETO-s. Tashmë njohja e diplomave të këtyre shkollave nga Turqia as që mund të diskutohet. Do të thotë që këto diploma do të jenë të pavlefshme. Pra një nxënës që ka një diplomë gjimnazi nuk do të mund të vazhdojë universitetin, ndërsa diploma e universitetit do të konsiderohet e pavlefshme”,-shprehet ambasadori i republikës se Turqisë Hidayet Bayraktar për emisionin ‘Diplomaticus’, raporton “BalkanWeb”.

Sipas ambasadorit Bayraktar, aleat i Shqipërisë është Turqia, jo “FETO”.
“Drejtues të lartë të FETO-s në të shkuarën kanë vizituar shpesh Shqipërinë me qëllim ndjekjen dhe kontrollin e afërt të këtyre shkollave. Për shembull një person i kërkuar si numri 2 i organizatës terroriste Feto të Fethullah Gülen, ndaj të cilit në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Ankarasë po zhvillohet procesi gjyqësor i quajtur “Streha”, ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe ka ndjekur e kontrolluar personalisht strukturimin e organizatës në arsim, edukimin dhe aktivitetin fetar. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e bordit të kontrollit të shkollave të FETO-s në Shqipëri. Nipi i Kryeterroristit Fethullag Gülen, mbajtës i të njëjtit mbiemër, në të shkuarën e afërt ka qenë drejtues i shkollave të Gülen në Shqipëri duke derdhur edhe kapitale tek ato”, thotë ai, shkruan “BalkanWeb”.

Ambasadori Bayraktar shprehet se në këto shkolla vazhdon fatkeqësisht aktiviteti i shpëlarjes së trurit. “Sidomos nxënësit konviktorë janë objektivi kryesor i FETO-s. Me afrimin e vitit të ri shkollor dëshiroj të tërheq sërish vëmendjen e familjeve Shqiptare. Mbajini larg fëmijët tuaj nga këto shkolla. Mos i hidhni ata në zjarr”,-deklaron ambasadori turk. Sipas diplomatit turk, në shkollat me fjetje të FETO-s aplikohet një sistem autoritar, i izoluar nga bota e jashtme, me një ngarkesë tej normave dhe i mbushur me tabu.

“Brenda kësaj kutie të mbyllur anëtarët e FETO-s përzgjedhin që në moshë të hershme fëmijët që duan të përdorin në të ardhmen, të cilët zakonisht janë tipa te urtë dhe të dëgjueshëm dhe fillojnë të investojnë tek ata. Nëpërmjet disa personave të quajtur kujdestarë, të cilët janë përgjegjës për nxënësit konviktorë fillon forcimi i lidhjeve të miqësisë dhe faza e parë e shpëlarjes së trurit. Duke ditur rëndësinë e lidhjeve familjare në Shqipëri drejtuesit e shkollave nuk i neglizhojnë as ato, në mënyrë që të mos ketë dyshime. Anëtarët e FETO-s shëtisin qytet më qytet e fshat më fshat, nga Ulqini, Kukësi, Durrësi e Saranda duke vizituar familjet e nxënësve. Aty takohen me familjarët dhe shpesh herë qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Në një farë mënyre fitojnë besimin e këtyre familjeve të ndershme duke mashtruar. Tentohet të krijohet perceptimi se ‘fëmijët tuaj janë në duar të sigurta, ne i edukojmë, i mbikëqyrim, i mbrojmë nga veset e këqija’”,- tha ai.

“Por në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Me kalimin e kohës në konvikte nxënësve u jepen disa libra të cilat janë baza e shpëlarjes së trurit. Kur arrihet në konkluzionin që këta libra përgatitor kanë bërë efekt tek këta fëmijë, atëherë pas dyerve të fshehta atyre u jepen për të lexuar librat e eksponentit kryesor të Feto-s Fethullah Gülen-it. Më pas sidomos vitin e fundit të gjimnazit nxënësve të përzgjedhur u flitet për organizatën FETO dhe për përfitimet që ata mund të kenë prej saj. Edhe pas gjimnazit vazhdon ndjekja e këtyre fëmijëve. Lidhjet ruhen duke u ofruar nxënësve bursa pranë universiteteve të FETO-s”, deklaron ambasadori Bayraktar. Sipas tij shkollat e FETO-s të cilat tashmë e kanë humbur prestigjin dhe besueshmërinë e tyre në Shqipëri dhe me afrimin e vitit të ri shkollor janë në panik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb